Përkujtohet sot 568-vjetori i Kuvendit të Lezhës
LEZHE- Lezha përkujton sot 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës me një serë aktivitetesh, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Bashkia e këtij qyteti njofton se i ka bërë të gjitha përgatitjet për festimet dhe ceremonitë e nderimit.
Me 2-Mars të vitit 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu zgjodhi këtë qytet për të bërë të mundur bashkimin e gjithë princave shqiptar, duke realizuar Besëlidhjen e Lezhës.
Pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp, Kreu i Bashkisë Viktor Tushaj, theksoi se në këtë përvjetor të Kuvendit Historik, që përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës,Turizmit, Rinisë dhe sporteve janë marrë të gjitha masat për organizimin e kësaj feste në mënyrë madhështore.
Qyteti i Lezhës është zbukuruar me dekorin festiv, i cili është shtrirë në sheshet dhe rrugët kryesore të tij. Për të festuar këtë përvjetor të Besëlidhjes së Lezhës janë ftuar autoritete të shtetit shqiptar dhe personalitete të tjera nga të gjitha trevat ku flitet shqip.