Berisha në SHBA: Kriza sna preku
Kryeministri merr pjesë në punimet e Samitit të Çikagos dhe darkën e shtruar nga Presidenti Barak Obama.
20 vjet më parë ishim si Uganda, tani jemi me të ardhura të mesme
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në punimet e Samitit të NATO-s, të zhvilluar në Çikago të SHBA-ve. I shoqëruar nga ministrat Haxhinasto dhe Imami, kreu i qeverisë fillimisht u ftua në pritjen zyrtare të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, në Mçormick Place, nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe mikpritësi i Samitit, Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama. Në nisje të punimeve të Samitit u përkujtuan me një ceremoni ushtarake dhe një minutë heshtje ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës, një prej të cilëve është edhe kapiten Feti Vogli. Mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut u hap me fjalën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen dhe fjalën përshëndetëse të Presidentit Obama. Në takim morën fjalën një numër liderësh të vendeve anëtarë të Aleancës. Në njoftimin për shtyp të zyrës së kryeministrisë thuhet se Në këtë sesion u diskutua për sfidat e sigurisë globale me të cilat përballet Aleanca, nevojën për të zhvilluar dhe modernizuar kapacitetet mbrojtëse në kushtet e një krize financiare globale dhe të shkurtimit të buxheteve. Në takim u theksua nevoja për rritje të eficiencës së përdorimit të burimeve nëpërmjet bashkimit të resurseve dhe menaxhimit të përbashkët te tyre. Dita e parë e Samitit të 25-të të NATO-s që po zhvillohet në Çikago, u mbyll me darkën që Presidenti i SHBA, Barak Obama, kishte organizuar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Samit. Gjatë qëndrimit në Çikago, Berisha u takua me një përfaqësi të komunitetit shqiptar që jeton në Ilinois. Në fjalën e tij, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë hapa gjigantë në fushën ekonomike. Njëzet vjet më parë, Shqipëria renditej në vendin e tretë më të varfër pas Angolës dhe Ugandës. Sot Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Sot, Shqipëria, edhe pse në kohë krize, ka ngjallur një interes shumë të madh në shumë aspekte për biznesin ndërkombëtar. Kulmi i krizës globale nuk e zhyti Shqipërinë në recesion. Kriza pati ndikim, por vendi ruajti rritjen ekonomike, u shpreh Kryeministri. Kryetari i komunitetit shqiptaro-amerikan e falënderoi Kryeministrin për këtë ekspoze, duke shprehur përgëzimet për punën e arritjet që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit. Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Çikagos shprehën dëshirën për të thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, duke theksuar faktin se në Ilinois jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë me origjinë nga të gjitha trojet shqiptare, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave.
Liri Berisha takon Mishel Obamën
Gjatë qëndrimit në SHBA, bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, mori pjesë si e ftuar nga Zonja e Parë, Mishel Obama, në një aktivitet të organizuar në qendrën rinore Gary Comer, në jug të Çikagos, ku së bashku me bashkëshortet e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, pjesëmarrës në këtë Samit, vizituan qendrën dhe u njohën nga afër me programet dhe iniciativat arsimore të saj. Zonja e Parë e SHBA-ve dhe të ftuarit e saj – zonjat e para nga Norvegjia, Turqia, Kroacia, Shqipëria etj. panë nga afër kopshtin e hapur të qendrës. Bëhuni një model për pjesën tjetër të komunitetit. Vazhdoni kështu, tha Mishel Obama disa orë përpara një darke të ofruar nga ajo në Institutin e Artit të Çikagos për gratë e liderëve të NATO-s. Qendra e të rinjve ndodhet pak minuta larg vendit ku Zonja e Parë Obama ka frekuentuar në fëmijërinë e saj.
Deklaratat për Kosovën
Në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s ka disa paragrafë referuar Kosovës. Vendet anëtare kanë mbështetur përpjekjet e misionit të KFOR-it për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë. Ato kanë përshëndetur edhe përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke lënë të hapur për më vonë bashkëpunimin e saj me NATO-n. Kosova përmendet edhe në pjesën e bashkëpunimit të NATO-s me Bashkimin Europian, ku thuhet se misioni i KFOR-it në Kosovë po bashkëpunon ngushtë me EULEX-in dhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së.
Irritimi i Shkupit
Përfundimi i Samitit të këtij viti të NATO-s mbi anëtarësimin e Maqedonisë ishte i njëjtë si ai i vitit 2008. Në një deklaratë, vendet anëtare të Aleancës në Samitin e Çikagos thanë se Shkupi do të marrë ftesën për tiu bashkuar NATO-s kur të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. Në pjesën referuar Maqedonisë thuhet se zgjidhja e çështjes së emrit, përveç anëtarësimit në NATO, do të kontribuojë edhe për paqen e stabilitetin në rajon. Deklarata ka irrituar Kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski.
ADI SHKEMBI
