Sot ditë zie, TVSH shtyn transmetimin e Eurosong

Autobusi në greminë pas aksidentit
Berisha niset nga SHBA. Rama: Frymë solidariteti nga të gjithë.
Këshilli i Ministrave vendosi dje të shpallë ditë zie kombëtare 22 majin, për nder të viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Himarës.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet: Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri po bën çdo përpjekje për tu nisur menjëherë në Tiranë. Sipas vendimit të bërë publik në faqen e internetit, sot në orën 12:00, Flamuri Kombëtar do të ulet në gjysmështizë, ndërsa të gjitha shpenzimet e varrimit do të përballohen nga Ministria e Brendshme. Sot në mbrëmje do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit Festivali i Këngës Eurosong dhe duke qenë se TVSH-ja do të transmetojë muzikë funebre, performanca e Rona Nishliut do të jepet në orën 00:05 të ditës së mërkurë. Radio Televizioni Shqiptar nuk do të transmetoje direkt natën e parë të Festivalit Europian që zhvillohet sot në orën 21:00 në Baku të Azerbajxhanit. Njoftojmë teleshikuesit shqiptare se nata e parë e Festivalit Europian ku konkurron përfaqësuesja e Shqipërisë, Rona Nishliu, do të transmetohet e regjistruar në orën 00:05 të datës 23 maj.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha është njohur për ngjarjen gjatë kohës që merrte pjesë në Samitin e Çikagos në SHBA.
Po shkoj drejt aeroporti për tu kthyer në Shqipëri, pavarësisht se vazhdon një takim, unë jam nisur sepse duhet të kthehem në kohën më të parë të mundshme, u shpreh Berisha në lidhje telefonike me ABC News.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u informua për aksidentin e rëndë me pasoja tragjike që ndodhi në Himarë, në të cilin kanë humbur jetën një numër studentësh, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë për të shpëtuar jetën e tyre, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe ndan zinë e u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.
Rama
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka shkuar pasditen e djeshme në Spitalin Ushtarak, ku ka vizituar nga afër të plagosurit që janë transportuar me helikopter. Është një moment jashtëzakonisht dramatik dhe duhet bërë çmos për të shpëtuar jetën e të gjithë të plagosurve. Duhet bërë çmos, njëkohësisht, për të mbështetur me një frymë të fortë solidariteti të gjithë ata që janë tani në të gjitha operacionet qoftë këtu, qoftë në terren, sepse është një ngjarje e tmerrshme, por sigurisht, nga e cila duhet të shpëtojë gjithkush që mund të shpëtohet, jetë njerëzore, deklaroi Rama.
Topi, apel për gjak
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi mbrëmë në darkë për herë të dytë Spitalin Ushtarak ku u interesua për gjendjen e studentëve të aksidentuar. Topi përgëzoi të gjithë ekipin mjekësor për përkushtimin e angazhimin human e profesional, forcat e policisë e ustrhisë për gatishmërinë në punën e jashtëzakonshme në këtë situatë. Duke uruar shërim të shpejtë për të aksidentuarit, Presidenti bëri thirrje për solidaritet, për të dhuruar gjak, i nevojshëm për të aksidentuarit, thuhet në njoftimin e Presidencës. Më herët Zonja e Parë, Teuta Topi u interesua për gjendjen e studentëve në Spitalin Ushtarak dhe dhuroi gjak në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut.
Aksidenti, Topalli në Himarë
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka vizituar të mbijetuarat në Spitalin Ushtarak dhe më pas është nisur menjëherë drejt Himarës. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se kryeparlamentarja ka parë nga afër vendin ku ka ndodhur aksidenti dhe më pas ka qenë në spitalin e Vlorës, ku ka takuar të plagosurit e tjerë. Në këto momente tronditjeje, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor shkojnë pranë të afërmve, familjarëve të viktimave të kësaj fatkeqësie, me lutjen që Zoti tu japë forcë të përballojnë dhimbjen e që shpirtrat e tyre të prehen në paqe, u shpreh Topalli.
Meta: Aksidentet janë shtuar
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga personalitete të kësaj partie vizituan dje Spitalin Ushtarak në Tiranë. Tashmë është një fakt që aksidentet po marrin jetën e shumë qytetarëve dhe natyrisht që është e domosdoshme që të shtohet akoma më tej vëmendja dhe prioriteti për minimizimin dhe për parandalimin e tyre, sepse janë ngjarje të cilat jo vetëm marrin jetën e qytetarëve, por janë ngjarje që tronditin të gjithë shoqërinë, theksoi Meta gjatë një prononcimi për mediat teksa pa nga afër gjendjen në spital.
ADI SHKEMBI