Dedja: Anëtari i ri të zgjidhet 6 muaj para mbarimit të mandatit

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese kërkon ligji të ri.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, kërkon ndryshim të ligjit organik për këtë Gjykatë, ligj që do të shmangte ngërçin aktual të krijuar. Nuk parashikohet në ligj që procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj të fillojnë të paktën 6 muaj përpara se gjyqtarëve, që janë në detyrë, tu mbarojë mandati. Me qëllim që, në momentin që gjyqtarëve u mbaron mandati, gjyqtari që do ta zëvendësojë të jetë zgjedhur dhe ta zëvendësojë në ditën që atij i mbaron mandati. Kjo do ti priste rrugën dhe zgjatjes së tejskajshme në bazë të mbarimit të mandatit të qëndrimit në detyrë dhe e dyta do të shkonte dhe me problemin e rrotacionit. Natyrisht që kjo duhet shoqëruar me ndryshime ligjore në ligjin organik, ndoshta edhe në Kushtetutë, shprehet Dedja në një intervistë për televizionin AS. Sipas kreut të kësaj Gjykate, vendimmarrja në disa raste, pas dorëheqjes së njërit prej anëtarëve të saj, bëhet e pamundur. Teorikisht ekziston një moment, kur mund të bllokohet vendimmarrja e kësaj Gjykate në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, siç mund të jenë 4 me 4, çështja nuk zgjidhet në rendin përfundimtar, por refuzohet shqyrtimi i kësaj kërkese dhe në një moment të dytë, qytetari apo ai që bën kërkesën, ka të drejtë ta riparaqesë kur të krijohet një numër tjetër i gjyqtarëve. Që vendimet të quhen të vlefshme duhet që të votojnë të paktën 5 gjyqtarë për zgjidhjen e çështjes. Për këtë shkak, nuk ka bllokim të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që ngarkesa do të jetë më e madhe, thotë Dedja.
Precedenti
Pak javë më parë, Petrit Plloçi dha dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e anëtarit, ndonëse mandati i tij kishte skaduar që prej 2010-s. Sipas ligjit, ai kishte të drejtë të qëndronte në atë post në pritje të zëvendësimit të tij nga Presidenti e Kuvendi. Në të njëjtën pozitë, që prej 2010-s, ndodhen dhe Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza.