E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: President me konsensus të gjerë

Kreu i LSI, Meta, dje në Lezhë

Kreu i LSI-së flet nga Lezha për zgjedhjen e kreut të shtetit: Pas këtij votimi, të vazhdojnë reformat.

Sbëhet fjalë për një vend pune, por për një institucion

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje nga qyteti i Lezhës se zgjedhja e Presidentit të ri duhet të realizohet me konsensus midis palëve dhe të zgjidhet me maksimumin e votave në Kuvend.
Pas takimit të zhvilluar me Lëvizjen e Gruas për Integrim, Meta pohoi se procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat kërkon vijimin e reformave dhe si e tillë, zgjedhja e kreut të shtetit nuk duhet të shërbejë si krisje e konsensusit midis palëve. Kjo do të thotë se kërkohet një konsensus sa më i gjerë. Duhet të kemi në konsideratë se procesi i integrimit europian, që është shumë e rëndësishme që të vijojë me ritmin e duhur, patjetër që kërkon një proces konstruktiv për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, ashtu sikurse kërkon që pas inaugurimit të Presidentit të vazhdojnë reformat, theksoi dje Meta. Kreu i LSI-së pohoi ndërkaq se Presidenti duhet të zgjidhet në raundin e parë dhe pas kalimit të kësaj prove, palët të vijojnë me plotësimin e detyrimeve të tjera karshi procesit të integrimit në BE. Pra, nuk bëhet fjalë për një vend pune për cilindo qoftë, por bëhet fjalë për një institucion, i cili duhet të funksionojë me kapacitet të plotë, sepse reformat që kërkon vazhdimi i këtij procesi dhe marrja e statusit të vendit kandidat që nuk mjaftohet vetëm me tre kërkesat që ne kemi artikuluar, reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe çështja e zgjidhjes së imunitetit, por janë edhe shumë elementë të tjerë. Duhet të vazhdojnë këto reforma edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ri, theksoi kreu i LSI-së. I pyetur nga gazetarët se cila do të jete loja e LSI-së në procesin e zgjedhjes së kreut të ri shtetit, Meta pohoi se qëllimi i forcës së tij politike është garantimi i një procesit konstruktiv, në mënyrë që palët të tregojnë vijueshmërinë e projektit europian. Ne e kemi bërë të qartë se synojmë ti shërbejmë ndërtimit të një procesi sa më konstruktiv e sa më konsensual. Natyrisht, ne nuk jemi aktorët e vetëm. Ne jemi modestë për mundësitë që ne kemi për të kontribuar në këtë proces, por absolutisht që jemi më të ndërgjegjshëm. Jam i bindur më shumë se të gjithë aktorët e tjerë për rëndësinë që ka progresi i vendit, theksoi kreu i LSI-së.

Reforma Zgjedhore
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi dje se mospërmbyllja e reformës zgjedhore brenda afatit të kërkuar nga Brukseli do të sjellë pasoja për statusin e vendit kandidat. Reforma zgjedhore duhet të kishte përfunduar. Është drejt skadencës afati shtesë. Nuk duhet çuar çështja te penalltitë, sepse rrezikohet shumë. Kjo do të thotë se mosaprovimi brenda 24 majit i reformës zgjedhore mund të ketë konsekuenca tepër kritike për çështjen e statusit të vendit kandidat, theksoi Meta.

Presidenti, Arvizu takon Oketën e Biberajn
Zgjedhja e kreut të ri të shtetit ishte dje një nga çështjet  e diskutuara nga ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, me dy përfaqësuesit e partisë Fryma e Re Demokratike. Diplomati amerikan është takuar me dy figurat e FRD-së, kryetarin e Grupit Nismëtar, Gamend Oketa dhe anëtarin e këtij Grupi, Aleksandër Biberaj. Zyra e shtypit pranë FRD-së njoftoi se palët kanë shkëmbyer mendime dhe pikëpamjet e tyre për garën presidenciale që do të hapet zyrtarisht më datë 24 maj. Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, në cilësinë e kryetarit dhe anëtarit të Grupit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, zhvilluan sot një takim me ambasadorin amerikan në Shqipëri, zotin Aleksandër Arvizu. Takimi është në vijim të dialogut të nisur me partnerët ndërkombëtarë për njohjen e FRD-së. Në takim u shkëmbyen mendime mbi problematiken aktuale të politikës në Shqipëri, ku vëmendje mori procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, që nis pas dy ditësh, nevoja e përfundimit të dakordësuar të reformës zgjedhore. Domosdoshmëria e krijimit të një klime bashkëpunuese politike, përpjekja për forcimin e institucioneve kushtetuese, si dhe fokusimi në punën për përfundimin e reformave të rëndësishme që do të përparonin vendin drejt integrimit në BE, thuhet në njoftimin e FRD-së.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›