Rama: Ligj të ri për bregdetin

Rama në Himarë
Kreu socialist premton në Himarë një ligj që do të zgjidhë problematikën e pronave.
Do ngremë Agjenci Kombëtare të Vijës Bregdetare
Kryesocialisti u pre-mtoi banorëve të Himarës një ligj të posaçëm për pronat në bregdet. Gjatë një takimi me pjesëtarë të shoqatave të bregdetit, në kuadër të tryezës për Çështjet e Pronës, Rama iu përgjigj pyetjeve të banorëve që kërkonin zgjidhje të problemeve të pazgjidhura të tyre lidhur me pronat në këto 22 vjet. Konkretisht, unë besoj që ne na duhet dhe ne do ta bëjmë sapo të vijmë në qeveri, një ligj për vijën bregdetare të Shqipërisë. Një ligj i posaçëm për vijën bregdetare, do të thotë që e gjithë problematika e zhvillimit në vijën bregdetare të trajtohet në mënyrë të posaçme. Vija bregdetare është një pasuri e madhe kombëtare, ku pa dyshim duhet harmonizuar interesi kombëtar me interesin privat, ku pa dyshim duhet zgjidhur problemi i pronësisë dhe i konfliktit të pronësisë, për ti hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm. Po ku, në të njëjtën kohë, askush nuk mund të ketë të drejtë që në emër të interesave të tij private të cenojë një plan të integruar të zhvillimit të vijës bregdetare, tha Rama për banorët e bregdetit. Gjatë fjalës së tij, duke folur me qytetarë të interesuar drejtpërsëdrejti në zgjidhjen përfundimtare të problemeve të pronësisë në bregdet, Rama ka treguar disa hapa që PS do të kryejë në qeverisje: Për vijën bregdetare duhet vendosur një ligj i veçantë e i duhet dhënë një status i veçantë, duhet qeverisur nga një Agjenci Kombëtare e Vijës Bregdetare dhe duhet mbrojtur nga patrulla të posaçme për vijën bregdetare. Kryesocialisti u kërkoi banorëve të Himarës që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë për bregdetin.
Në bregdet, në zgjedhjet e ardhshme sduhet të ketë votë ideologjike për asnjë arsye në botë. Por, duhet të ketë një votë të përbashkët për bregdetin. Për bregdetin si e duam. Për bregdetin që të jetë një vend ku të bjerë në paqe populli, me këtë çështjen e tmerrshme të konflikteve të pronësisë dhe ku secili të pranojë të bëjë pjesën e vet për mjedisin dhe për bregdetin, ku realisht të ndërtojmë një zonë të tërë turistike shqiptare të bukur, u shpreh Rama.
Shoqata Bregdeti
Pronarët e ligjshëm të tokave në bregdetin shqiptar, të mbledhur në shoqatën Bregdeti, kanë akuzuar qeverinë se me strategjinë dhe reformën e prezantuar për pronën po përligj vjedhjen e pronës së pronarëve legjitimë nga pushtetarët grabitqarë. Shoqata thekson se strategjia e qeverisë shqiptare e konsideron pronën të shtetëzuar nga diktatura si pronë shtetërore (ashtu siç quhej kur ishte në fuqi Kushtetuta komuniste e vitit 1976, e hartuar nga Enver Hoxha, duke i cilësuar pronarë ata që në bazë të Kushtetutës nuk mund të kenë asnjë të drejtë për pronat që pretendojnë, ndërsa ish-pronarë, pronarët e ligjshëm të trojeve.
ARISTIR LUMEZI