E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Samitin e PPE: Tirana u bë blu

Pas Samitit, u mbajt sesioni akademik me rastin e 35 vjetorit të themelimit të PPE-së dhe gjatë këtij aktiviteti Kryeministri Berisha zhvilloi takime e biseda me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, me kryeministrin hungarez Viktor Orban, me Kryeministrin e Belgjikës Yves Leterme, etj.

I pyetur nga gazetarët pas takimit mbi procesin e numërimit të votave në Tiranë, Berisha u shpreh se kishte informuar gjerësisht bashkëbiseduesit për transparencën absolute të numërimit dhe të nxjerrjes së çdo vote në televizion.

“Garat e ngushta, për çdo vend dhe demokraci, janë para së gjithash provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë. Natyrisht, nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi lajmi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Evropë u shtua fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe fitorja në Tiranë në veçanti”, u shpreh Berisha.

Për sa i përket bojkotit të opozitës, kryeministri tha se përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që i kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, “sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë”.

“Opozita është e ftuar të bëj të gjitha amendamentet. Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë më 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet. Opozita e lexon, por ca të tjerë që donin të përfitonin nga kjo lloj ofertë ngatërruan edhe mediat, mirë të tjerat”, nënvizoi Berisha.

Gjithashtu, Berisha zhvilloi takime të veçanta edhe me Presidentin e PPE-së Wilfried Martens, me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian Antonio Tajani, me kryetarin e grupit parlamentar të PPE-së, Joseph Daul, me Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Buzek. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-24 09:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›