E Diel, 1 Nëntor 2026

Pack Opozita mban peng integrimin me refuzimin e votimit te ligjeve

Refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar për disa ligje në Shqipëri, për miratimin e të cilave janë të nevojshme edhe votat e saj, mund të çojë në mos plotësimin e kushteve të domosdoshme për integrim. Eurodeputetja Doris Pak në një interviste për DW ku është pyetur për situatën politike në Shqipëri thotë se problemi ka mbetur në fushën e opozitës.

“Opozita duhet t’a mbajë parasysh që vetëm synimi për të rrëzuar qeverinë, gjë që është e kuptueshme kur je në opozitë, nuk mund të mbajë peng të gjithë vendin. Dhe unë mendoj se një gjë e tillë është e dëmshme”, thotë në intervistë Pack.

Lidhur me pretendimet e opozitës për parregullsi në numërim Doris Pack shprehet se do të jetë raporti i ODIHR ai qe do të vendosë për gjithçka.

“Opozita pretendon se votat në Tiranë nuk janë numëruar si duhet, qeveria thotë që ky numërim ishte në rregull dhe prandaj duhet të presim deri në fund të numërimit, e të kemi besim tek ODIHR-i në se është dakord me këtë. Atëherë edhe opozita duhet ta pranojë përfundimin e votimit”, deklaron europarlamentarja Pack.

Doris Pack i bën apel opozitës që të bëhet pjesë e parlament dhe të japë kontributin e saj për miratimin e ligjeve te domosdoshme.

“Unë e di që edhe në radhët e opozitës ka shumë njerëz të arsyeshëm, të cilët duan të vazhdojnë më tej dhe duan të marrin pjesë në procesin e bërjes së ligjeve, por në këtë mes ne vetëm mund të shpresojmë që ata do të arrijnë ta bindin opozitën që të marrë pjesë e gjitha në këtë proces. Por veçse të shpresojmë s'kemi ç'të bëjmë tjetër. Sepse ne nuk e kemi asnjë mundësi për të vendosur sanksione ndaj një partneri, i cili nuk ka vullnet. Dhe prej kësaj vuan i gjithë vendi për fat të keq”, është shprehur Pack.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›