Kosova kusht gradual për integrimin e Serbisë
BRUKSEL Insistimi i disa shteteve anëtare të BE-së që Kosova ti vihet si kusht Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së ka nisur ta shqetësojë Beogradin, por edhe disa qarqe në institucionet e BE-së, të cilat mendojnë se ky nuk duhet të jetë kusht tani. Britania e Madhe më parë dhe Gjermania tani përmenden mes shteteve anëtare të BE-së, të cilat kërkojnë që Serbia së pari të dëshmojë sjellje konstruktive ndaj Kosovës e vetëm pastaj të mund të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Por këtë kusht Serbia mund ta përmbushë pa problem, sepse në këtë moment kjo nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, disa rezultate konkrete që mund të dalin nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mund të mjaftojnë që Serbisë ti jepet statusi i kandidatit. Por Kosova, sipas disa diplomatëve të BE-së që folën për Kohën Ditore, do të bëhet si kusht gradual për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Kjo, sipas këtyre diplomatëve, do të thotë se në secilën fazë të integrimit të Serbisë në BE do të kërkohen disa hapa drejt njohjes së realitetit të ri në Kosovë.
Britania e Madhe, e njohur si mbështetësja më e madhe e Kosovës në BE, në të njëjtën kohë fuqishëm mbështet dhënien e statusit të kandidatit Serbisë e në anën tjetër britanikët kanë ngadalësuar shpesh përparimin e Kroacisë drejt përmbylljes së negociatave. Britania është ndër vendet që mendojnë se do të ishte mirë që Traktati i anëtarësimit të Kroacisë të shtyhet për tu nënshkruar në dhjetor në mënyrë që të njëjtën ditë ti jepet statusi i kandidatit Serbisë.
Qëndrimi i Britanisë së Madhe është se sa më afër të jetë Serbia në integrimet në BE, aq më shpejt do të pranojë shtetin e Kosovës, thotë një diplomat i lartë i një vendi tjetër të BE-së rreth qëndrimit britanik që duket paksa i çuditshëm si pro-Kosovës e në të njëjtën kohë pro-Serbisë.
Në anën tjetër, Gjermania nuk ka ndonjë qëndrim simpatie rreth Kosovës, por më shumë mbron parimet se Kosova tash është shtet, i mirë apo jo, dhe se Gjermania e ka njohur, prandaj nuk dëshiron që të pranohet Serbia në BE pa i qartësuar marrëdhëniet me fqinjët.