E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Shijak Qender biznesi pas amnistise fiskale

Kryeministri Sali Berisha ishte në Shijak ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin”, Afrim Brahimaj. Ai premtoi realizimin e projekteve që garantojnë infrastrukturë bashkëkohore, kanalizime të sigurta dhe shkolla moderne.

Ai tha se në 4 vitet që shkuan, në bashkinë e Shijakut dhe në komunat  e tij janë asfaltuar 92 kilometra rrugë dhe vetëm në këtë bashki janë asfaltuar 16 kilometra, janë ndërtuar dhe rindërtuar 2 shkolla, si dhe është pranuar çdo projekt që bashkia e këtij qyteti, pavarësisht nga ngjyra partiake që ka patur ka paraqitur në interes të qytetarëve.

“Zoti Afrim Brahimaj ka kandiduar tek ju me moton “ Së bashku do ta bëjmë Shijakun” modern, Shijakun e zhvilluar, ndaj dhe unë vij sot tek ju për t’u dhënë fjalën se do të mbështesim çdo projekt të zotit Brahimaj, për ujë 24 orë, për kanalizime ndër më të sigurtat, për shkolla ndër më modernet, për planin rregullues që do të hartoni së bashku me të, sikundër pas kalimit të ligjit të amnistisë, Shijaku do të ketë një fillim të madh, të ri, një qendër  e madhe biznesi në rajon dhe më gjerë”- theksoi Berisha.

Kryeministri tha se alternativa që ofron Edi Rama është ajo e shpifjeve.

 “Çdo qytet, çdo fshat, çdo komunë, çdo shtëpi ka një kosh ku i hedh mbeturinat. Gjuha e çdo kombi ka një kosh për fjalë të papërshtatshme. Çdo njeri mund të fusë dorën në atë kosh. Ne s’do ta fusim dorën në atë kosh, ndaj u themi këtyre zotërinjve, vazhdoni përdorni fjalë kazani, siç i quante Faik Konica. Ndërsa ne do të bashkohemi me çdo qytetar, për  një 8 maj, me një fitore të thellë, fitore të vlerave të qytetarëve, fitore të projekteve të qytetarëve, fitore të fëmijëve të tyre, të së ardhmes së tyre”- tha kryeministri.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se koalicioni “Aleanca për qytetarin” e bazon këtë fushatë tek morali dhe tek interesi qytetar.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›