Berisha në Shkodër: Po shkojmë drejt mandatit të dytë
Në vijim të vizitës në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të hapjes së Bankës Italiane për Zhvillim.
Duke e vlerësuar degën e kësaj banke në rrugën e sapoinauguruar Kolë Idromeno, Kryeministri Berisha theksoi se kjo bankë ka si mision të saj kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me një shumë fillestare 25 milionë euro, që përbën në këtë kohë një faktor shumë të çmuar për zhvillimin e biznesit në këtë qytet.
“Unë përfitoj për ta falënderuar me shumë mirënjohje qeverinë italiane, popullin mik italian për ndihmën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve për kontributin e tyre thelbësor në sukses të përpjekjeve tona për ndërtimin e ekonomisë tregut dhe demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri.
Banka Italiane për Zhvillim, tha Kryeministri, është vetëm një nga qindra projekte të mëdha italiane, të cilat zhvillohen nga Gjirokastra në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë.
Kryeministri theksoi se përgjigjja më e mirë dhe mirënjohja më e thellë është që qeveria qendrore dhe ajo vendore të krijojnë një klimë sa më miqësore për biznesin.
“Unë shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, qytetarët e Shkodrës, të cilët në një vlerësim që Banka Botërore u bëri 22 qyteteve të 7 vendeve të rajonit doli në një nga vendet më të mira për sa i përket krijimit të lehtësirave për biznesin. Ky raport e renditi Shkodrën krahas standardit të Londrës, Parisit, apo Lisbonës në dhënien e lejeve dhe regjistrimin e biznesit dhe unë ftoj Bashkinë e Shkodrës të vazhdojë të luftojë çdo ditë burokracitë në mënyrë që qeveria qendrore të lehtësojë barrën fiskale ndaj bizneseve, që qeveritë vendore të lehtësojnë barrën burokratike ndaj tyre. Kështu do të krijojmë më shumë punësim më shumë të ardhura për qytetarët shqiptarë, do të rrisim begatinë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.
Ne, vijoi më tej Kryeministri, shkojmë drejt mandatit të dytë pasi kemi bërë Shqipërinë një vend tërheqës dhe të besueshëm për investitorët e huaj. Vetëm në dhjetor-janar janë nënshkruar 3.5 miliardë euro kontrata për hidrocentrale, për parqe energjetike të tjera të mëdha dhe për fabrika të mëdha. Në këtë kontekst Kryeministri garantoi se vitet që vijnë këto do të duken shumë pak sepse do të ketë kontrata të tjera më të mëdha që do të firmosen.
“Shqipëria ka potenciale të mëdha. Çfarëdo që të bëjmë ne potenciali më i madh si saj është potenciali turistik dhe ne po investojmë. Rikonstruktuam rrugën, e rikthyem në vlerat e saj. Do të ndërtojmë rrugë të tjera, do të bëjmë që turisti ngado që të vijë të mbesë me mbresa të forta nga ky qytet, si një qytet mijëravjeçar”, nënvizoi Kryeministri.
Siç e shihni, vijoi më tej Kryeministri, një alternativë apo një hije po qarkon nëpër Shqipëri dhe kjo është hija e atij, i cili nuk ka alternativë tjetër vetëm shpalljen e të vdekurve në aksident si të vrarë nga qeveria, nuk ka alternativë tjetër vetëm krijimin e skandaleve, nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes së dosjeve për të mbrojtur arkivin e tij të tmerrshëm familjar, nuk ka alternativë tjetër përveç mashtrimeve dhe trillimeve.
Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë që në interesin më të madh të tyre dhe të fëmijëve të tyre të mos harrojnë. “Ju bëj thirrje që në interesin më të madh tuajin dhe fëmijëve tuaj mos harroni , nuk them mos harroni kurrë lakuriqësinë e tij, por mos harroni kurrë si i numëroi votat në bashki, mos harroni kurrë se si u ngrit dy metra duke numëruar votat dhe duke i fabrikuar ato, është i biri i të atit nuk ka të ardhme, është e shkuara”, theksoi Kryeministri.
...