E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta mbron dosjet, e djathta zhvillimin e vendit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rrugës pedonale "Kolë Idromeno" në qytetin e Shkodrës. Duke e vlerësuar këtë si një ditë të veçantë për Shkodrën dhe një rikthim të madh tek vlerat e saj, Kryeministri u shpreh se ky qytet mijëravjeçar mban në gjirin e vet visaret më të çmuara të qytetërimit shqiptar dhe qytetërimit perëndimor në përgjithësi. “Kjo shëtitore ka qenë në dekada dhe shekuj aorta e qytetit, luksi më i madh i jetës së këtij qyteti. U rrënua përkohësisht dhe u rinovua madhërishëm me të gjithë bukurinë  dhe vlerat e saj. Kushdo që vjen dhe sheh këto ndërtesa sheh se kemi të bëjmë me një qytet perëndimor, me një Shkodër evropiane ndaj dhe unë dua të ndaj gëzimin tim sot me qytetarët e Shkodrës”, theksoi Kryeministri. Më tej Kryeministri i garantoi qytetarët e Shkodrës se ky është vetëm njëri nga projektet, sepse ata do të jenë të vazhdueshme. Alternativa jonë, tha Kryeministri, është alternativë e konsolidimit të vlerave, e ndërtimit të rrugëve, urave, shkollave, universiteteve ndërsa alternativa e zotit Rama është mbrojtja e dosjeve. 

“Unë erdha dy muaj më parë dhe ju thashë se druaj se e kanë kastruar që në rini. U faktua plotësisht e vërtetë me të gjithë dokumentet dhe qëndrimet që mbajti më pas. Shkodrën dhe Ramën i ndajnë shekuj dhe mijëvjeçarë të sakrificave të këtij qyteti për liri dhe dinjitet njerëzor. I ndan e vërteta dhe mashtrimi. Shkodra ka rendur pas të vërtetave të mëdha të njeriut dhe qytetërimit, ndërsa Rama pas mashtrimeve, trillimeve, shpifjeve të panumërta, skandaleve që i krijon nga njëri tek tjetri për të fshehur arkivat e tmerrshme të  krimit”, u shpreh kryeministri Berisha. Më pas Kryeministri i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe deputetë të Shkodrës përshkuan në këmbë rrugën "Kolë Idromeno" dhe u takuan e u përshëndetën me qytetarë të Shkodrës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›