E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Sp.Ushtarak: Po negociohet për dërgimin jashtë të 2 vajzave

Nga qyteti i Elbasanit, ku la dhimbjen e familjarëve të 11 vajzave, Kryeministri Berisha ka preferuar si stacion ndalese Spitalin Ushtarak, ku po viziton studentet që po trajtohen aty, pas plagëve të rënda që morën në aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e të hënës në Qafën e Vishës, në Himarë, ku humbën jetën 13 persona, mes të cilëve 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej studenteve.

Zoti. Berisha pasi ka parë nga afër situatën e të të rejave që po marrin trajtimin mjekësor aty rikonfirmoi në një dalje për mediat se situata e dy prej vajzave vazhdon të mbetet kritike. Në këtë situatë ai tha se Ministri i Shëndetësisë po negocion me klinika jashtë vendit dhe sapo të marrë një përgjigje pozitive do të bëhet dhe dërgimi i tyre jashtë.

“Gjendja në terësi është e mirë, 2 prej tyre përballen me probleme të mëdha. Ministri Vasili është në lidhje me klinika të huaja, momentin që ato të japin dritën jeshile se do ti pranojnë do të bëhet dhe nisja e tyre. Shpreh bindjen se sot cdo shqipëtar lutet për to, që ta kalojnë këtë gjendje shëndetësore sa më mire. I garantoj familjarët se qeveria do të bëjë gjithca cfarë lejon mjekësia që ato ta kalojnë këtë situatë” tha ai.

Ndërkaq Kryeministri Berisha nuk ka harruar të falenderojë të gjithë strukturat që u angazhuan në këtë operacion të rëndësishëm, për shpëtimin e jetëve njerëzore.

“Shpreh falenderimet e mia të mëdha për banorët e Himarës, personelin mjekësor të Himarës dhe Drejtorin e kësaj qëndre, të gjitha ekipet shëndetësore të Vlorës, Sarandës për ndihmën e dhënë në kushte shumë të vështira. Falenderoj ekipet e spitalit të Vlorës dhe Spitalit Ushtarak në Tiranë. Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë realizuar ndërhyrje nga më të komplikuarat. Operacioni i emergjencës ka qenë në nivelin më të mirë, një falenderim për pilotët e ekipit të Shëndetësisë dhe Forcave të Armatosura. Urojmë që të plagosurat ta kalojnë sa më shpejt këtë situate”u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë i cili ndodhej në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Natos në Çikago ka anuluar çdo takim dhe është nisur drejt Tiranës.

Ndërkohë sot është shpallur ditë zie kombëtare ndërsa në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë. Ndërkohë Ministria e Brendshme është ngarkuar të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›