Homazhet, Topi: Uroj të mos përsëriten të tilla raste
Miq, shokë dhe studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” po zhvillojnë sot homazhe në hollin e universitetit në kujtim të 13 viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.
Homazhet kanë nisur rreth orës 11:30 në hollin e universitetit ndërsa në orën 12:00 është mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të 13 viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Homazhe në universitetin "Aleksandër Xhuvani" ka zhvilluar edhe presidenti Topi i cili ka lënë edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve.
“Jam shumë i pikëlluar për disa vajza që ikën në moshën e tyre më të mirë. Shpreh nga zemra ngushëllimet më të sinqerta për familjet. Fjalët në të tilla raste nuk dalin. Unë edhe njëherë dëshiroj të përsëris urimin tim që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Vlerësoj solidaritetin njerëzor për mbështetjen ndaj ngjarjes” shtoi Topi.
Në një linjë telefonike për “Ora News” rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani “ Liman Varoshi theksoi se edhe pse trupat e pajetë janë tërhequr nga familjarët, universiteti do t`i nderojë viktimat duke vendosur foto të tyre në hollin e universitetit.
“Trupat janë tërhequr nga familjarët e viktimave por megjithatë ne kemi vendosur edhe si shtab që të bëhen homazhet në katin e parë të universitetit me fotot e viktimave dhe me kurora me lule. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre edhe me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar do të jenë pjesëmarrës në këto homazhe” theksoi Varoshi.