E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Tropojë. Hesht për mungesën 12-vjeçare

Pas 12 vitesh mungesë, lideri demokrat, Sali Berisha, ka hyrë në vendlindjen e tij, në Tropojë, rreth orës 22:30 të së dielës. Simpatizantë të shumtë të PD-së e kanë pritur që në hyrje të qytetit, duke e shoqëruar deri te hoteli bashkëpatriotin e tyre. Tropojanët ishin përgatitur ta prisnin Kryeministrin dje paradite, por, papritmas, teksa po mbyllej "Sofra Dardane" rreth orës 21:00 janë përhapur fjalë se Sali Berisha do të hynte në qytet brenda pak orësh, duke mbledhur në shesh një numër të konsiderueshëm simpatizantësh. Zyrtarisht, ardhja e Berishës në Tropojë ishte lajmëruar për paraditen e së hënës, por Kryeministri ka shkuar një natë më përpara, duke ndryshuar oraret e lëvizjes. Rreth orës 11:00 të së hënës, lideri demokrat ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale të PD-së në Tropojë. Fjalët e para të Sali Berishës kanë qenë një formë ndjese për 12 vitet e mungesës në vendlindje: "Përulem me nderimin më të thellë para jush, para qëndresës, mbështetjes dhe kontributit tuaj në historinë e këtij vendi dhe kombi. Këtu nisi, këtu vazhdon, për të mos mbetur kurrë në mes", ka thënë kreu i selisë blu. Berisha ka premtuar liberalizim të vizave dhe zhvillim të infrastrukturës së zonës. "Kam ardhur sot këtu për t‘u dhënë fjalën, se nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në këtë vend. Kam ardhur për t‘u dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë, distancën tuaj me Tiranën do ta afrojmë së paku 110 kilometra. Zotohem para jush se do të bëj çdo gjë që Alpet, pasuria përrallore e Tropojës dhe e Shqipërisë të shndërrohen në një të mirë, në një vlerë, për secilin prej jush dhe mbarë shqiptarët, me rrugë të asfaltuara ne do të fitojmë lirinë e lëvizjes", premtoi Berisha. Më tej ai ka premtuar zhvillim të bujqësisë dhe rritje të pensioneve për qytetin dhe fshatin. Gjatë këtij mitingu elektoral, Berisha nuk ka lënë pa përmendur trazirat e vitit 1997, ku përleshjet mes grupeve rivale e shndërruan Tropojën në një vend të vështirë për t‘u kaluar. "Për mua dhe për ju ‘97-a është periudha më e dhimbshme në tërë historinë e Tropojës, sepse me një urrejtje primitive ndaj kontributit tuaj bandat u veshëm me pushtet dhe ekzekutuan djemtë e Tropojës. Atë që historia u rezervoi pushtuesve, atë që historia u rezervoi keqbërësve, do t‘u rezervojë edhe autorëve të ‘97-s në Tropojë", ka thënë kreu i ekzekutivit. Në fund të takimit, Berisha është ndalur te rivali i tij politik, Edi Rama, duke i kërkuar atij t‘i rimarrë çelësin e bashkisë këngëtarit Goran Bregoviç, të cilit i ka dhuruar gjatë një vizite në Tiranë, pasi sipas Berishës, ky këngëtar ka himnizuar masakrat serbe e në Kosovë. "Para pak javësh, këtu erdhi kryetari i Partisë Socialiste, i cili në fakt është njëqind herë më i lidhur me 99-shat e lejeve të ndërtimit, se sa me socialistët e Shqipërisë. Do t‘i them zotit Rama: Të vish sa herë të duash në Tropojë. Të kërkova që t‘i kërkosh ndjesë Tropojës për ato që i bëtë në vitin ‘97, nuk e bëre këtë, sepse nuk njeh ti me arrogancën tënde, me prepotencën e trashëguar, ndjesën dhe faljen njerëzore, por unë tani nuk të them më që të kërkosh falje. Ajo që të kërkoj është kjo, që para se t‘u drejtohesh qytetarëve të Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën, duhet të heqësh çelësin e artë të bashkisë, çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve që vendose mbi gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç. Këtë do të bësh se përndryshe do të mbledh Këshillin Bashkiak në mocion mosbesimi ndaj teje. Nuk mundesh t‘i përdorësh çelësat e kryeqytetit të mbarë shqiptarëve për armiqtë e egër të tyre, për ata që kënduan, këngë dhe himne barbarëve serbë, të barbarive serbe mbi shqiptarët e Kosovës", ka përfunduar Berisha.

Berisha

Kudo që unë ndodhem, në Tiranë apo në metropolet e Evropës dhe të botës, në çdo vend, në çdo takim, mendja ime çdo ditë, qindra herë në ditë, vjen te ju, vjen këtu në Tropojë, vjen në këtë vend më të dashurin për mua mbi këtë dhe. Se dashuria për ju, është dashuria e të gjitha dashurive, është dashuria më e madhe, se kjo dashuri është gurra e pashtershme, është burimi më i fuqishëm, i frymëzimit, i fuqisë së njeriut, është sekreti i pa mposhtjes së tij.

Siguria

Në ruajtjen e sigurisë u angazhua edhe SHISH-i. Ndërpritet sinjali i celularëve

Vizita e Kryeministrit, masa

të jashtëzakonshme në Bajram Curr

Sapo ka shkelur në vendlindje, qindra simpatizantë kanë rrethuar makinën kryeministrore. Berisha i entuziazmuar, duke thyer çdo masë sigurie, ka hyrë mes turmës, duke e bërë të vështirë punën e dhjetëra truprojave, mes të cilëve ishte rikthyer edhe nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi. Turma e simpatizantëve e ka shoqëruar deri te dera e hotelit Kryeministrin, i cili ka tentuar të dalë dhe të ritakohet me turmën, por këshillat e truprojave e kanë bindur të hynte në hotel. Turma, duke tentuar të hyjë në ambientet e hotelit, ka dëmtuar derën dhe disa shtylla ndriçimi të hotelit. Forca të shumta policie kanë "blinduar" prej disa ditësh qytetin e Bajram Currit. Në qytet është vënë re prezenca e një trupe sigurie tepër të madhe. Forca të RENEA-s, FNSH-së, por edhe uniforma blu kanë "pushtuar" Tropojën për sigurinë e Kryeministrit. Në mënyrë të fshehtë, ai ka ndërmarrë udhëtimin në orët e mbrëmjes së të dielës për mitingun e djeshëm, ndërsa më parë çdo lëvizje ishte studiuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Burimet nga SHISH bënë të ditur se agjentët e kësaj strukture prej dy javësh kanë qenë të pranishëm në Bajram Curri, duke studiuar çdo rast të dyshimtë për vizitën e Kryeministrit. Madje, nga të dhënat mësohet se kanë qenë rreth 100 forca të këtij shërbimi, të cilët kanë kontrolluar jo vetëm territorin, por edhe gjithë komunikimet dhe kanë vlerësuar çdo dyshim të mundshëm. Më pas, gjysma e tyre janë larguar ditën e diel, ndërsa pjesa tjetër kanë vazhduar shërbimin e tyre edhe dje. Dje, Bajram Curri është përforcuar edhe nga agjentë të antikrimit si dhe nga shërbimet e Gardës së Republikës. Shërbimet më të specializuara të Gardës janë vënë në shërbim të Kryeministrit, ku kanë mbajtur nën kontroll gjithë pikat e nxehta dhe vendet e larta, duke kontrolluar çdo lëvizje. Madje, edhe drejtues të policisë ishin të pranishëm për ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e mitingut. Si masë sigurie, 20 minuta para dhe pas ardhjes së Kryeministrit Sali Berisha, në Tropojë është bllokuar çdo sinjal i telefonisë celulare dhe asaj fikse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›