E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku vijon të forcohet

Leku shqiptar fitoi 0.64 për qind kundrejt euros gjatë ditës së djeshme, duke shënuar ditën më pozitive në shumë muaj, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Euro u këmbye për 130.85 lekë, ose 0.83 lekë më lirë se të premten. Agjentët e këmbimit valutor vërejnë se ka një presion të pazakontë në drejtim të forcimit të lekut dhe se shumë operatorë po vënë bast në forcimin e lekut gjatë sezonit turistik. Leku u forcua gjatë ditëve të fundit me më shumë se 1.6 për qind kundrejt euros. Leku tani gjendet në kuotën më të lartë që nga 28 prilli.

Ekspertët vërejnë se një nga shkaqet e forcimit të lekut gjatë ditëve të fundit, është edhe përgatitja e bankave për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit, si dhe ankandin e obligacioneve dyvjeçare, të programuara për sot. Qeveria pritet të tërheqë 14 miliardë lekë bono thesari gjashtë dhe 12 mujore, si dhe 3.15 miliardë lekë obligacione dyvjeçare në ankandet që organizohen nga Banka e Shqipërisë. Tërheqja e likuiditetit përmes bonove të thesarit sjell forcim të përkohshëm të lekut për shkak se disa operatorë parapëlqejnë të shesin valutë për të grumbulluar shumat e nevojshme në lekë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›