Spanja shumë e kënaqur me rezultatet e programit “Një OKB” në Shqipëri
Pas takimit të zhvilluar midis Kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratino, zotit Moratino iu dorëzua një raport, mbi ecurinë dhe rezultatet e programit “ Një OKB “ në Shqipëri.
Në ceremoninë e dorëzimit, së bashku me Kryeministrin Berisha merrnin pjesë Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara Gülden Türköz-Cosslett, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobbio, si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë shqiptare.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha tha:
Është një kënaqësi e madhe për mua, të përshëndes këtë aktivitet të dedikuar programit “Një OKB” në Shqipëri”. Gjithashtu me rastin e veçantë të vizitës së Ministrit të Jashtëm Spanjoll, zotit Moratino, dua ti shpreh atij, mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e tij dhe për procesin e reformave të Kombeve të Bashkuara, në të cilin Shqipëria është zgjedhur që të jetë një vend pilot. Iniciativa e Kombeve të Bashkuara “Një OKB” nga pikëpamja ime është mjaft pozitive. Së pari, ajo kursen kohë, shmang mbivendosjet, shton transparencën, kursen para dhe rrit në mënyrë të ndjeshme efikasitetin.
Zoti Ministër, ne i jemi shumë mirënjohës qeverisë suaj dhe e vlerësojmë shumë programin “Një OKB”. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara janë ndoshta më të mëdhatë në botë, në fushat e tyre, me njohje shumë të gjerë. Bashkëpunimi me ta është shumë i vlefshëm për vendin tim, në përpjekjet për të përparuar drejt integrimit në BE. Mendoj se kemi një fillim të mbarë, i cili do të ishte i pamundur pa mbështetjen e qeverisë spanjolle dhe pa përkushtimin e madh të Koordinatores së PNUD dhe të iniciativës së “Një OKB” në Shqipëri, zonjës Cosslett, ambasadorit tuaj në Shqipëri dhe stafit të OKB-së këtu. Ja sepse dua tua falënderoj edhe njëherë për mbështetjen tuaj të madhe për këtë projekt.
Ministri Moratinos: Faleminderit, zoti Kryeministër, përfaqësues të PNUD, të Kombeve të Bashkuara që po prezantoni këtu programin “Një OKB”. Është një kënaqësi e madhe që, në vizitën time në Shqipëri, me Kryeministrin dhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara të marr pjesë në këtë arritje mjaft të rëndësishme. Shqipëria dhe Spanja janë angazhuar gjithmonë në reformën e Kombeve të Bashkuara. Të dy vendet kanë qenë gjithmonë konsistente, duke mbrojtur multilaterizmin. Kjo është më e rëndësishme tani, që ne po përballemi me ndryshimin global në lidhje me çështjet ndërkombëtare. Sot, mendoj se, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të mbështetet familja e Kombeve të Bashkuara, por familja duhet të jetë e bashkuar, familja duhet të punojë së bashku dhe anëtarët e familjes duhet të bashkëpunojnë dhe të punojnë me efikasitet. Për këtë arsye, Spanja ka qenë një nga vendet që ka mbështetur programin e Kombeve të Bashkuara “Një OKB”. Për këtë arsye, Spanja, tre vjet më parë, ka deklaruar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara kontributin e rëndësishëm prej 6 milion euro, për të arritur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit dhe brenda kësaj, ne kemi hapur një dritare për programin “Një OKB”. Kjo është një eksperiencë e re, për të cilën janë zgjedhur disa vende pilot, për të ndihmuar reformën e Kombeve të Bashkuara.
Ne jemi shumë të kënaqur që Shqipëria është zgjedhur si një nga vendet pilot për të implementuar këtë eksperiencë. Shqipëria, qeveria e saj dhe Kryeministri janë angazhuar dhe kanë financuar për të implementuar këtë program. Mendoj se janë rreth 40-45 milion euro. Spanja ka kontribuar me 20 milion dollarë për të kontribuar në implementimin e këtij projekti pilot. Mendoj se gjëja më e rëndësishme për sa i përket sasisë së fondeve është shpirti dhe filozofia e re se si Shqipëria dhe Spanja po punojnë së bashku. Ne kemi një fond të veçantë të koherencës, nëpërmjet të cilit të gjithë vendet punojnë në një bazë të përbashkët.
Ne jemi shumë të kënaqur për arritjet që janë bërë në fushën e kulturës, të rinisë, të emigracionit, zhvillimit ekonomik dhe në të gjitha fushat, në të cilat Kombet e Bashkuara kanë punuar në Shqipëri.
Ne jemi shumë të kënaqur për rezultatet e programit dhe ju sigurojmë se Spanja do të vazhdojë të punojë me Kombet e Bashkuara në këto iniciativa, që deri tani, janë shumë të kënaqshme.
Dua të falënderoj ambasadorin e Spanjës, stafin e Kombeve të Bashkuara, qeverinë shqiptare për ndihmën që kanë dhënë në mënyrë që ky projekt të implementohet dhe të jetë i dobishëm për popullin shqiptar. Faleminderit.
Koordinatorja e OKB në Shqipëri, znj. Costlett: I nderuar zoti Kryeministër, i nderuar ministri Moratinos, i nderuar ambasador i Spanjës, të nderuar kolegë,
sot, jemi shumë të kënaqur që në praninë tuaj, zoti Kryeministër dhe zoti ministër, të shprehim mirënjohjen tonë për partneritetin e ngushtë që kemi midis qeverisë së Shqipërisë, Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Spanjës. Ne kemi krijuar një partneritet të ri dhe dua të them se cilët janë përbërësit e këtij suksesi, gjatë këtyre dy viteve. Së pari, duhet një qeveri e përkushtuar si kjo që kemi këtu që nga Kryeministri dhe deri tek ministrat e tjerë. Për të pasur një përdorim efikas të asistencës së huaj, për të udhëhequr punën e Kombeve të Bashkuara në vend dhe si një mbështetës i fortë i Kombeve të Bashkuara, qeveria shqiptare ka kërkuar të testojë një formë të avancuar të reformës të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, që është i vetmi në Europë duke implementuar programin “Një OKB”. Së dyti, kemi një OKB që ka filluar të punojë ndryshe, e cili, bashkon së bashku ekspertizën e 12 agjencive, fondeve dhe programeve në programin “Një OKB”, në mbështetje të prioriteteve kombëtare të Shqipërisë, për t’u bashkuar me OKB dhe për të përmbushur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit.
Ne nuk mund të kishim sukses pa partneritetin tonë me qeverinë e Spanjës, e cila ka mbështetur qeverinë në përmbushjen e detyrimeve të saj drejt integrimit në BE, një partner, i cili ka treguar një besim të madh, duke i ofruar Shqipërisë dhe popullit të saj, nëpërmjet sistemit të Kombeve të Bashkuara, rreth 20 milion dollarë, për tre vitet e ardhshme. Këto fonde mbështesin prioritetet kyçe të zhvillimit të vendit, punësimit të të rinjve, emigracionit, kultura dhe zhvillimi, barazia gjinore, qeverisja ekonomike dhe ushqyerja dhe shëndeti i fëmijëve. Këto, fëmijët, kanë qenë gjithashtu një katalizator për reformën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Pa këto tre përbërës, nuk do të kishim suksesin që kemi pasur në Shqipëri.
Në emër të ekipit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri do të doja të falënderoja qeverinë e Spanjës për mbështetjen e saj dhe besimin që ka tek Kombet e Bashkuara dhe në qeverinë e Shqipërisë, për partneritetin e vazhdueshëm dhe të ngushtë, pa të cilin puna jonë nuk do të kishte qenë e suksesshme.
Për të treguar vlerësimin tonë, dëshiroj të ftoj znj. Albana Vokshi për të dorëzuar raportin e arritjeve të programit “Një OKB” në Shqipëri.
...