PD: Edvini, si Ramiz Alia, frikacak i lidhur pas karriges, por që ka parafirmosur humbjen në zgjedhje

Partia Demokratike ka bërë sot komentet e para, pas shpalljes së listës së Edvinit. Duke dënuar moskandidimin e tij në listën e kandidatëve, si një thyerje flagrante e standardeve morale të një gare zgjedhore, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli e ka krahasuar Edvinin me Ramiz Alinë, si të lidhur pas karriges së pushtetit dhe që paraprakisht ka firmosur humbjen e sigurtë në zgjedhje.
Ja edhe deklarata e plotë e zëdhënëses së PD-së
Sot Edi Rama pas 20 vitesh pluralizmi vendosi të shpallë garën elektorale të Partisë Socialiste pa udhëheqsin e saj. Edi Rama sot përsëriti vitin 91 të Ramizë Alisë kur ai për të mos humbur karrigen e Presidentit hapi garën elektorale pa përfshirë Sekretarin e Parë të Partisë Politike që drejtonte. Me vendimin për të mos udhëhequr garën e Partisë së tij, Edi Rama u tha socialistëve shqiptarë se dasma e tyre elektorale do të jetë një dasëm pa dhëndër, mbasi atë e kanë kastruar lejet e ndërtimit.
Të nisësh garën duke mos qenë i zoti të japësh dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Bashkisë në emër të interesave më të mëdha të antarsisë dhe mbështetësve të Partisë tënde, do të thotë jo vetëm të vendosësh një standard që ska ekzistuar kurrë në vendet e lira po të thotë të firmosësh publikisht kapitullimin dhe e bën këtë vetëm e vetëm për interesat e karriges bashkiake.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë qëndrim primitiv, arkaik prej frikacaku të Edi Ramës, PD garanton zgjedhësit shqiptarë se programi i saj elektoral do të mishërojë interesat dhe aspiratat e tyre. Kurse për sa i përket listës së deputetëve të cilën z.Rama nuk guxoi as ta komentonte publikisht para shqiptarëve, listë në të cilën mungon kryetari dhe ish-kryetari i saj mendoj se komenti më i përshtatshëm është të mos e komentosh.
Është listë e dështimit të plotë e të sigurt të Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme.