E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”: Homazh për virtytet e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve

28-04-2012 / Gazeta 55

Një ndër momentët më mbresëlënëse gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte ai në Muzeun e Memorialit të Holokaustit ku u prezantua filmi dokumentar "Besa", një homazh për virtytet e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftë së II-të Botërore. Ky eveniment që zhvillohet për herë të parë në Uashington, vjen si akt vlerësues për kombin dhe virtytet fisnike të shqiptarëve, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Producentja e dokumentarit “Besa”, Johana Neuman është një nga të mbijetuarat e Holokaustit, e cila u ndihmua nga një familje shqiptare për t’i shpëtuar terrorit nazist. Përmes emocionesh ajo përcolli mes 500 të pranishmëve këtë rrëfim emocionues.
“Populli shqiptar jetonte me një standard të lartë moral, "Besën". Ne ishim të huaj që kishim nevojë për ndihmë. Për rrjedhojë kodi moral i tyre u diktonte se ata duhet të ndihmonin me çdo çmim. Në familjen që na shpëtoi ne, kishin 2 fëmijë të vegjël dhe ata e dinin çfarë po ndodhte dhe nuk i thanë shokëve të tyre që në familjen e tyre kishte hebrenj. Asnjëherë. Është e vështirë ta krahasosh këtë me një numër vendesh evropiane”, vuri në dukje Neuman.
Njëkohësisht, në vazhdën e vlerësimeve mbi popullin shqiptar, ajo shtoi se “jam këtu sot dhe kam mundësi të flas për këtë popull të mrekullueshëm, se këta njerëz duke e ditur që ishim hebrenj na shpëtuan neve në shtëpitë e tyre. Nuk pati diferencë, ata u shpëtuan si nga myslimanët, ashtu dhe nga kristianët. Pa mirësinë dhe angazhimin  e popullit shqiptar nuk do kisha mundësi t’iu flisja ju sot dhe të isha nëna e 4 fëmijëve dhe gjyshe e nipërve e mbesave”.
Dokumentari “Besa” është një prodhim i bazuar në materiale, fakte dokumente arkivorë dhe dëshmi të të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët kaluan përmes Shqipërisë ose jetonin në Shqipëri dhe u morën në mbrojtje, u strehuan dhe u ruajtën nga familje të thjeshta shqiptare, emrat e të cilëve sot lartësohen në piedestalin e nderit në institucionin “Yad Vashem” në Jeruzalem ku ndodhen të gdhendur emrat e "Të drejtët mes kombeve" që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri Berisha  i dorëzoi zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me motivacionin: ndër të tjera për kontributin e saj të çmuar në promovimin e virtyteve fisnike të shqiptarëve, siç është "Besa"
"Më e pakta që mund të them është që jam shumë e emocionuar nga fakti që qeveria shqiptare më nderon mua sonte me këtë çmim. Në fakt janë ata që duhet të nderohen. Janë shqiptarët që e meritojnë këtë çmim, jo unë. Ata vunë jetën e tyre në rrezik si dhe jetën e familjeve të tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Nuk ka mjaftueshëm fjalë për të shpjeguar kurajën që këta njerëz treguan për të shpëtuar hebrenjtë në vendin e tyre. Ata nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët. Kur ata refuzuan të dorëzonin listën e hebrenjve që ndodheshin në vend në atë kohë, ata patën kurajën. Dhe çfarë kuraje ishte kjo? T’i thonin nazistëve; "unë nuk njoh hebrenj, unë njoh vetëm shqiptarë"”, nënvizoi Neuman, pas një momenti të tillë.
Kryeministri Berisha duke i shprehur mirënjohjen asaj, nënvizoi se “dua të theksoj se kontributi juaj është i rëndësishëm për ne, sepse populli im, pas shpëtimit tuaj dhe bashkëqytetarëve tuaj, ra nën diktaturën më të keqe që Europa ka njohur, ra nën shtypjen më të egër. Shqiptarët e kanë të nevojshme të lënë sa më shpejt të jetë e mundur mbrapa këtë kohë. Për shqiptarët, diktatura e Hoxhës ishte një errësirë e madhe”.
Kryeministri tha se duke vizituar këtë muze mendimi i parë që të vjen në mend është se nuk ka asgjë më të keqe, sesa diktatorët, sepse ata kanë një fuqi negative mbi njerëzit, për t’i transformuar si qenie njerëzore.
“Siç ishte Holokausti, një nga aktet më barbare të botes se civilizuar, te civilizimit tonë. Për këtë i jam shumë mirënjohës kombit tim, për atë që shqiptarët bënë, por mendimi im shkon edhe për popullin hebre, të cilët ia besuan jetën e tyre bashkëqytetarëve të mi. Falenderimi im shkon për qytetarët shqiptarë, të cilët i mbrojtën e strehuan hebrenjtë, duke mos marrë pjesë në këtë gjueti të tmerrshme dhe ruajtën vlerat njerëzore, sepse asgjë nuk e ndalonte makinerinë naziste të shfarosjes së jetës se njerezve edhe të fëmijëve, të moshuarve”, u shpreh Berisha.
Madje, gjatë fjalës së tij në këtë event, shefi i qeverisë shqiptare evidentoi dhe marrëdhënien mes shqiptarëve dhe hebrenjve.
“Jam i lumtur që shqiptarët sa herë që janë takuar me hebrenjtë, në historinë e tyre të gjatë, e të dy janë ndër kombet më të vjetër në planet, janë takuar si miq. Vërtet nuk kanë pasur komunikim intensiv, por sinagoga më e vjetër në Ballkan është gjetur në Shqipëri. Përgjatë historisë, hebrenj nga vende të ndryshme u strehuan në Shqipëri dhe kjo nuk ishte rastësi. Në gjithë historinë, asnjë incident të vetëm”, deklaroi Kryeministri. 
Krahas zyrtarëve të lartë qeveritarë, senatorë, kongresmenë, pjesëtare të trupit diplomatik, të ftuar dhe miq e shqiptarë të diasporës, të pranishëm në ceremoni ishin edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori amerikan në Shqipëri Alenxander Arvizu dhe Ambasadori i Izraelit në SHBA. Zoti Riker përshëndeti evenimentin në emër të Sekretares se Shtetit Hilary Klinton, si dhe u përcolli të gjithë familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë përshëndetjet më të përzemërta nga Sekretarja Klinton dhe vlerësimet më të larta për këtë akt sa human dhe unik në histori.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›