Apeli ynë, që procesi i zgjedhjes së nënkryetarit të mos shkojë në anti-kushtetutshmëri

Ministri Eduard Halimi: “KLD, në kaos nga Presidenti”
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi i kujton presidentit të Republikës, Bamir Topi që të mos e çojë procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së, në anti-kushtetutshmëri. KLD do të mblidhet javën e ardhshme, ku do të diskutohet për çështjen e nënkryetarit të këtij institucioni. Ministri Halimi sqaron se, nëse do të vazhdohet me votimin, do të marrin pjesë 13 anëtarë në votim dhe jo 15 anëtarë për faktin se ai që propozohet nuk mund të votojë sepse në bazë të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka konflikt interesi, po ashtu edhe propozuesi ka konflikt interesi dhe nuk mund të votojë. Halimi thekson se i ka kërkuar Presidentit të tërhiqet nga propozimi antikushtetues, për të emëruar nënkryetar, anëtarin e Konferencës Gjyqësore. Ministri Eduard Halimi flet dhe për inspektimet e fundit në sistemin e drejtësisë, ku theksoi se Ministria e Drejtësisë nis procedimin disiplinor për 7 përmbarues dhe 1 gjyqtarë
Sapo keni bërë publike rezultatet e inspektimit në disa sektorët të drejtësisë, gjyqësor, përmbarim dhe noteri. Më konkretisht cilat janë masat që keni marrë?
Monitorimi i institucioneve të drejtësisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse rrit përgjegjshmërinë e aktorëve të drejtësisë ndaj ligjit dhe kushtetutës. Është një proces shumë i rëndësishëm sepse ndan të gjithë aktorët e drejtësisë nga ata që punojnë me devotshmëri dhe zbatojnë me korrektësi ligjin nga ata që janë devijatët, të mirët dhe më pak të mirët dhe kjo përfshin të tërë aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshin gjyqësorin, përmbarimin, noterinë, prokurorinë, të gjithë aktorët. Është shumë e rëndësishme që procesi i monitorimit të tyre të jetë në mënyrë të vazhdueshme, sigurisht brenda të gjithë kuadrit ligjor dhe kushtetues duke respektuar edhe elementët e pavarësisë së këtyre institucioneve.
Mbledhja e fundit e KLD ka mbetur ende në një pikë të rëndësishme atë të zgjedhjes së nënkryetarit të ri të KLD-së? Si do të vijohet?
KLD pritet të mblidhet në mbledhjen e saj radhës. Mbledhja thirret nga Presidenti i Republikës dhe ashtu siç ka deklaruar presidenti në media ajo pritet të mblidhet në ditët në vijim. Mbledhja e KLD-së thirret të paktën dy herë në muaj dhe është brenda afateve,ndërkohë që ka mbetur për t’u diskutuar nga mbledhja e ardhme çështja e zgjedhjes së nënkryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë. Do jetë një proces që do të diskutohet në mbledhjen e radhës. Sigurisht në këtë proces do të marrin pjesë gjatë votimit, në se do të vazhdohet me votimin, do të marrin pjesë 13 anëtarë në votim dhe jo 15 anëtarë për faktin se ai që propozohet nuk mund të votojë sepse në bazë të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka konflikt interesi, po ashtu edhe propozuesi ka konflikt interesi dhe nuk mund të votojë. Kështu që do të votojnë 13 anëtarë në lidhje me kandidaturën e përcjellë nga Presidenti i Republikës ndërkohë që është akoma pa përgjigje një letër që unë i kam dërguar Presidentit të Republikës ku i kam kërkuar të tërhiqet nga propozimi antikushtetues që është bërë për anëtarin e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore bazuar kjo në qartësinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006.
Mendoni se Presidenti ka reflektuar gjatë kësaj periudhe duke pasur parasysh kërkesën tuaj, a mendoni se do e tërheqë propozimin e tij?
Kjo është një çështje e Presidentit të Republikës sepse propozimi është një çështje e tij. Sigurisht që propozimi duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Çdo propozim i cili bie ndesh me kushtetutën, pra çdo vendimmarrje e tillë nuk do t’i bënte mirë KLD-së. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse unë i kam drejtuar letër Presidentit që të mos e fusë procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së në anti-kushtetutshmëri.