Berisha në grupin e PD-së: “PS demonstroi mungesë sinqeriteti”
Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje në mëngjes grupin parlamentar demokrat, ku kërkoi që të votojnë në unanimitet të plotë kandidaturën e Artan Hoxhës, pasi ka kontribute madhore në reformat ekonomike në 12 vitet e fundit dhe figura e tij nderon shumicën. Ndërkaq, pas kontestimeve të Partisë Socialiste për kandidaturën e z.Hoxha, ky i fundit u tërhoq nga gara, ndërsa mazhoranca doli me kandidaturën e Bujar Nishanit. Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Berisha akuzoi kreun socialist Edi Rama për mungesë sinqeriteti dhe me gjithë përpjekjet e mazhorancës ishte e pamundur të bindje Ramën për një kandidaturë.
“Dje (pardje) tentuam në frymën dhe germën e kushtetutës të arrihej një konsensus në mirëkuptim të saj. Përpjekjet u bënë të jashtëzakonshme, por kuptova që, po të mos ishte dikush që të mos e kishte përmendur ndonjëherë emrin e tij, nuk do zgjidhej. Por të hyjmë e të bëjmë arkivin se kush e ka kritikuar ndonjëherë apo kush nuk e ka përmendur ndonjëherë, kjo është pamundur. Sipas tij, le të jetë i djathtë, por që nuk duhej ta kishte përmendur ndonjëherë atë. Kriteret e tij, kuptova se ishin shumë speciale. Kriteri i parë duhej të ishte një njeri që nuk e ka kritikuar kurrë zotin Rama ose që duhet ta kishte të ndaluar me ligj kritikën, apo një njeri që nuk i ka shtrënguar kurrë dorën Sali Berishës. Këta zotërinj kanë një problem, pasi harrojnë se gjysma e tyre kanë qenë vetë bashkëpunëtorë të mi. Por kjo është jeta. Kjo është politika. Për këtë kandidaturë, thoshte është i oborrit, por i them: edhe ti ke qenë i oborrit, çdo të thuash atëherë. Së dyti, ai vuan nga misoginia, që në greqishten e lashtë është urrejtja ndaj gruas. Po të vijë puna tek personi, më parë kalon detin me këmbë, sesa nxjerr një person konsensual me të. U bënë tre orë diskutime. Edi Rama nuk është i sinqertë, se njeriu i sinqertë thotë nuk jam dakord që të marr pjesë në këtë proces me vota, se nuk më intereson për një, dy, tre arsye, por të thotë sill tre, katër kandidatura dhe kur i shkon me tre, katër kandidatura, sërish thotë jo. Mund t’ju them edhe diçka tjetër. Hyri edhe Nano në lojë edhe e bukosi, për të nxjerrë kandidaturat. Për fat të keq, u ngatërrua edhe një aleat i yni që tha të jetë edhe zoti Nano kandidat, ndonëse unë e kisha bërë shumë të qartë qëndrimin tonë ndaj zotit Nano. Unë kisha theksuar se gara politike më e shkëlqyer do të ishte ne me përfaqësuesen tonë më in spiko, ata me përfaqësuesin e tyre më in spiko dhe kush të fitonte, të shtrëngonte duart. Por këtë nuk e pranonte kurrë. Pra, tre orë përpjekje, për të arritur në një marrëveshje, por e pamundur. Nuk deshi. Dua t’ju them se përveç Zaganjorit iu afrua edhe një kandidat tjetër, i cili ishte universalisht i pranueshëm si konsensual. E refuzoi në mënyrë kategorike”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se Edi Rama kishte kërkuar takimin për propozimin e kandidaturave, por në tryezë kryesocialisti ka insistuar për modalitetet.
“Pas gjithë këtyre debateve, mbrëmë kërkonte të ktheheshim tek modalitetet, ndërkohë që më parë më kishte thënë sill dy, tre emra, sepse me Zaganjorin nuk e kisha bërë mirë, sipas tij, sepse po ta kisha pyetur përpara, nuk do kishte pasur ndonjë vërejtje. Pra, tek zoti Zaganjori nxirrte metodën, që, sipas tij, nuk e bëra si duhet, nuk ia kisha sjellë përpara. Pastaj tha sill tre katër emra, të përzgjedhim një. Ne shkuam në takim, ashtu siç kërkoi ai, me emrat, ndërsa ai tha sot duhet të diskutojmë modalitetet. Dhe kjo pasi më kishte çuar dhjetë herë fjalë: sill tre, katër emra, jo një. Është shumë i pasinqertë. Duhet të them se ka mungesë të theksuar serioziteti, kur vjen problemi për të diskutuar për persona. Edhe kur erdhi problemi tek kandidatura e zotit Artan Hoxha, tha jo se ky ka bërë avokatinë e qeverisë. Kandidaturën tjetër, i thashë, e kundërshtove se ka vendime gjykate në favor të qeverisë dhe favorin tëndin, ndërsa zoti Hoxha ka bashkëpunuar me ty në bashki, ka bashkëpunuar me qeverinë socialiste për reformat me institucionin e tij, sikundër ka bashkëpunuar edhe me ne intensivisht po për reformat. Por zoti Rama tha sërish jo, se nuk i plotësonte kriteret e tij”, tha më tej kreu i qeverisë.