E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në kongresin e PPE: Qëndrimi i opozitës i pakonceptueshëm

BON- Qëndrimin e tij për hapjen e kutive , që po mban prej muajsh larg Kuvendit opozitën shqiptare, kryeministri Berisha e shprehu edhe gjatë takimeve të zhvilluara me lider botërorë në Bon të Gjermanisë, ku Berisha mori pjesë në kongresin e Partive Popullore Europiane.
Duke vlerësuar festimet për 8 dhjetorin si mitingun më madhështor të shqiptarëve, Berisha e quajti të pakonceptueshëm qëndrimin e opozitës për këto festime.
“I njoha me qëndrimin e pakonceptueshëm të opozitës e cila jo vetëm që nuk ju përgjigj ftesës sime për të qenë e pranishme në këtë ngjarje të madhe për kombin por bëri të kundërtën duke e shpallur si antimiting.” theksoi kryeministri.

Berisha tha se në takim me lider europianë kishte gjetur mirëkuptim të plotë për qëndrimin e qeverisë për të mos rinumëruar kutitë.
“Kam gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e mij për qëndrimin e qeverisë dhe qëndrimin tim ndaj kësaj kërkese, sikundër i njoha me ofertën që unë kam bërë për problematikën tjetër në mënyrë që opozita të marrë vendin e saj në parlament.” u shpreh kreu i qeverisë.

Berisha e cilësoi Kongresin e Partive Popullore Europiane një mundësi të madhe për qeverinë për të promovuar reformat e saj. Ai tha se kishte marrë mbështetjen e personaliteteve të huaja për procesin e integrimit të vendit dhe liberalizimit të vizave.
Berisha shfrytëzoi kongresin e PPE për të takuar në Bon personalitete të huaja si presidentin e sapozgjedhur të BE, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin italian Berluskoni dhe presidentin e KE Barroso.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›