Berisha në mbledhje qeverie: Pritej iPhone 5, por nuk erdhi
Kryeministri Sali Berisha foli gjatë në mbledhjen e qeverisë për Shqipërinë Dixhitale. Ne do bëjmë gjithçka, do zhdukim çdo barrierë e pengesë në mënyrë që lundrimi në internet të jetë i mundur për çdo qytetar të këtij vendit. Shërbimet dixhitale janë shërbimet më transparente, më të shpejta, më të sigurta, më të civilizuara që një qeveri e një administratë mund tu ofrojë qytetarëve. Hapa të mëdhenj janë bërë, por hapa vendimtarë janë për tu bërë. Çdo projekt që ka të bëjë me moshën dixhitale do jetë i parë në krahasim me projektet e tjera, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se asgjë nuk ndryshon më shpejt se mosha dixhitale. Ai mori për krahasim lancimin e iPhone.
Mosha që ndryshon më shpejt është mosha dixhitale. Një moshë që të lën mbrapa. E pritëm me padurim iPhone 5, por nuk ishte pesa. Ndaj dhe duhet që sistemet që vendosim të kenë të gjithë mundësinë e përshtatjen. Ne po bëjmë gjithçka që tregu i 3G të bëhet sa më kompetitiv, sikundër po përgatitim kuadrin ligjor për 4G-në, tha Berisha.
E vërteta është se asgjë nuk ndryshon më shumë se mosha dixhitale. Asgjë nuk mund tu ofrojë qytetarëve procedura më të pastra, më transparente. Kjo është Leva e Arkimedit për të shkundur korrupsionin.
Ne u bëmë vendi i parë në botë për prokurimet publike 100 përqind. Ne do bëhemi vendi i parë për blerjet e vogla dixhitale. Duhet ofruar lehtësira e transparenca për blerjet e vogla të qeverisë. Duhen organizuar kurse për internetin që të gjithë administrata të jetë e zhdërvjellët.