E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në takim me biznesmenë egjiptianë

Kryeministri, i shoqëruar edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë, takohet me biznesmenë egjiptianë dhe u prezanton rezultatet e reformave ekonomike dhe fiskale

Kryeministri Berisha zhvilloi në Kajro një takim me biznesmenë egjiptianë, anëtarë të Federatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Egjiptit, ku ishin të pranishëm edhe biznesmenë shqiptarë.

Gjatë takimit, Kryeministri ftoi biznesmenët egjiptianë të investojnë në Shqipëri, ku do të gjeni, theksoi ai, një popull dhe qeveri mikpritëse dhe një klimë të favorshme për investimet. Në këtë drejtim, Kryeministri bëri një parashtrim të reformave dhe arritjeve të dy viteve të fundit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rezultatet e reformave në fushën ekonomike dhe fiskale. Kryeministri theksoi se hapa të rëndësishme janë bërë në drejtim të lehtësimit dhe mbështetjes së biznesit, duke përmendur përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël, krijimi i "One stop shop", dixhitalizimi i procedurave, etj..

Një vend të rëndësishëm në fjalën e tij, Kryeministri Berisha i kushtoi përpjekjeve dhe arritjeve të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit.

Kryeministri u shpreh se objektivi më madhor i qeverisë shqiptare mbetet shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Shqipëria, - tha Kryeministri, - është një vend me potenciale të mëdha në shumë fusha. Në këtë drejtim, Kryeministri i njohu biznesmenët egjiptianë me nismën e qeverisë “Shqipëria, një euro”, e cila ofron mundësi të gjera për ta për të investuar në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›