Berisha në zyrë me Topallin Patozin, Boden dhe Olldashin
Prej dy ditësh zyra e kryeministrit Berisha në selinë e Këshillit të Ministrave është kthyer në një zyrë ku mblidhet kryesia e vogël e Partisë Demokratike. Gjatë 48 orëve të fundit, vizitorët më të shpeshtë të kryeministrit nuk kanë qenë këshilltarët e tij, por njerëzit e tij më të ngushtë në parti, me të cilët ka diskutuar emrat e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit. Burimet bëjnë të ditur se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode dhe kreu i PD-së së Tiranës janë parë shpesh në zyrën e kryeministrit gjatë këtyre ditëve. Por si të mos mjaftonte hartimi i listave të kandidatëve, kryeministrit Berisha i është dashur dje të shkojë edhe në kuvendin e degës së PD-së së kryeqytetit. Në përfundim të fjalës së tij para delegatëve të Tiranës, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, janë larguar menjëherë nga Teatri i Operës dhe Baletit për të vazhduar me plotësimin e listave të kandidatëve.