KQZ, vetëm 8 parti i depozitojnë listat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyn edhe katër orë të tjera afatin zyrtar e paraqitjes së listave të kandidatëve për deputetë nga ana e partive politike që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në njoftimin e saj zyrtar, KQZ-ja lajmëron se “afati i fundit i dorëzimit të listës shumemërore për kandidatët për deputet është data 19 maj, ora 20:00”. Shkak i kësaj shtyrje është për t’i dhënë kohë KQZ-së, për verifikimin e dokumentacionit që paraqet nga ana e subjekteve zgjedhore”. Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos ishte subjekti i parë politik që depozitoi listën shumemërore të kandidatëve për deputetë. Pas kësaj, Lidhja Demokristiane e Nikollë Lesit depozitoi listën me emrat e deputetëve të tij në këto zgjedhje. Më pas sipas burimeve zyrtare pranë KQZ-së, mësohet se Aleanca Kombëtare, Partia e Gjelbërt, Bashkimi Liberaldemokrat dhe Partia e Punës së Shqipërisë së Organizuar ka depozituar listat e zgjedhësve. Mësohet se dje në darkë kanë depozituar listat edhe Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian. Gjithsej deri në orën 2:.00 ishin tetë subjekte politike që kanë depozituar listën shumemërore me kandidatët për deputetë. Sot është dita e fundit ku pritet të paraqesin listat edhe koalicionet politike të PD, PS, LSI dhe Poli i Lirisë.