Sejdiu: Vizita e nënpresidentit amerikan, me rëndësi historike
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka vlerësuar vizitën e paralajmëruar për të enjten të nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, si me rëndësi historike për Kosovën. Sipas presidentit Sejdiu, Bajden ishte dhe mbetet një nga mbështetësit e rëndësishëm për Kosovën, ndërsa kjo vizitë konfirmon edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe qytetarët e saj pa dallim. “Për ne shënon kjo një kuptim të veçantë të intensifikimit të marrëdhënieve kaq të mira dhe të shkëlqyera që ka Republika e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të vizitës, dihet se ai do të vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit dhe mendoj se mesazhet e tij themelore janë mesazhe për demokracinë dhe për paqen dhe ecjen e mëtejshme përpara”, ka komentuar për mediat presidenti Sejdiu. Ai u bëri thirrje edhe qytetarëve të komunitetit serb që të jenë pjesë e procesit politik dhe ta trajtojnë Kosovën si vendin e tyre. Sipas një zyrtari të administratës amerikane, vizita e zëvendëspresidentit amerikan Xho Bajden në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë do të thotë se Shtetet e Bashkuara po kthejnë vëmendjen në këtë rajon. “Pika kryesore me të vërtetë është se Shtetet e Bashkuara po kthehen; fokusi që e kishim në vitet ‘90 në rajon po kthehet”, ka cituar ai për agjencinë “Reuters”. Sipas tij, Uashingtoni “nuk ishte aq i fokusuar në Ballkan gjatë viteve të fundit, prandaj ndoshta, ndonjë moment, për shembull, në Bosnjë, është humbur ose, në disa raste është kthyer prapa”. Zyrtari që ka preferuar të mbetet anonim ka deklaruar se, “nuk presim që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ne shpresojmë dhe presim që Beogradi nuk do të bëjë asgjë për ta penguar Kosovën dhe përpjekjet e saj për ndërtimin e vendit të fuqishëm, stabël, funksional dhe shumë etnik”, raporton agjencia AFP nga Uashingtoni. Ndërkohë në Kosovë autoritetet po organizojnë një pritje madhështore për nënpresidentin Bajden, por presidenti Sejdiu ka preferuar që detajet e pritjes të mbeten sekrete. Komentet e presidentit Sejdiu u bënë pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet për pushtetin komunal, që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Pa datë zgjedhjesh
Në Prishtinë partitë politike zhvilluan bisedimet e para për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, për të cilën nuk u arrit në një përfundim të përbashkët. Por takimi i djeshëm u hoqi shqetësimet përfaqësuesve të një pjese të partive politike për mundësinë e shtyrjes së këtyre zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, vendimi i presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve. Votimet e fundit për pushtetin komunal janë mbajtur më 17 nëntor të vitit 2007 dhe institucionet e dala prej tyre kanë mandat dyvjeçar. Por një pjesë e partive politike kanë kërkuar që tetori të jetë periudhë e zgjedhjeve. “Vendimi për datë nuk është marrë, por do të merret në kohë. Por unë e shfrytëzojë edhe këtë moment që t’u adresohem qytetarëve të marrin pjesë në procesin zgjedhor që do të organizohet, të jenë partnerë dhe aktorë të përbashkët në ndërtimin e jetës dhe demokracisë në Kosovë”, theksoi presidenti Sejdiu.