E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, presidenti Abdullah Gul përballet me gjyqin

 

Një gjykatë kriminale në kryeqytetin turk përmbysi të hënën një vendim që e mbronte presidentin turk, Abdullah Gul, nga hetimi për dyshimet mbi “falsifikim të disa dokumenteve speciale”. Gjykata përmbysi vendimin nga zyra e prokurorit të Ankarasë, të marrë në qershor 2008, se imuniteti kushtetues i presidentit nuk lejonte hetimin ndaj Gul, emri i të cilit ishte mes listës së të akuzuarve për çështjen që njihet në Turqi si “Humbja e një trilioni”. Gul mund të evitojë procesin vetëm nëse Parlamenti e pajis edhe atë me imunitetin që kanë deputetët. Presidenti aktual është dënuar edhe më parë në vitin 2006 për përvetësim të fondeve publike, por u fal gjatë verës së vitit të kaluar. Çështja më parë ka prekur Necmettin Erbakan, ish-kryeministër dhe lider i “Partisë së Mirëqenies”, i cili u akuzua për mashtrim mbi falsifikimin e disa regjistrimeve të partisë për të fshehur të ardhurat e saj. Partia u shkri në janar 1998. Gjykata e Ankarasë e cilësoi këtë si “shteg”, dhe vlerësoi se Kushtetuta turke nuk mbron autoritetet nga krimet e periudhës përpara se të ngjiteshin në pushtet, në këtë rast në presidencë.
Ndërkohë, Turqia është prekur nga një tjetër skandal. Muajin e kaluar është njoftuar nga Ministria e Drejtësisë se 70 mijë telefona janë përgjuar nga shteti gjatë tre viteve të fundit dhe çështja ka provokuar një debat të madh. Shumë nga përgjimet lidhen me një hetim në vazhdim dhe me gjykimin nën akuzat për komplot të një grupi nacionalist laik të njohur me emrin Ergenkon, për të rrëzuar qeverinë më islamike që tani kontrollohet nga partia AK. Sipas VOA, një nga prezantuesit më të famshëm dhe më të respektuar të lajmeve në Turqi ka hedhur akuza kundër qeverisë dhe prokurorëve shtetërorë në programin e tij, që jepet në orët më të shikuara të mbrëmjes. Ai thotë se Turqia është bërë një vend autoritar, pa respekt për privatësinë apo drejtësinë. Programi “britmat” pasoi publikimin e bisedave telefonike që Dundari ka pasur me gruan e tij. Ato janë regjistruar si pjesë e një hetimi dyvjeçar të ashtuquajtur grupi Ergenkon, për një “komplot” nga laikët. Grupi që hetohet besohet të jetë një organizatë laike ultranacionaliste, që ka lidhje me anëtarë të ushtrisë turke. Qeveria pranoi se 70 mijë linja telefonike janë përgjuar nga policia. Shumë nga ata që janë përgjuar janë pjesë e hetimit të gati 200 njerëzve që po gjykohen ose janë akuzuar për komplot për të rrëzuar qeverinë. Akuzat kundër tyre përfshijnë mijëra faqe tekste të bisedave të regjistruara, shumë prej të cilave janë të natyrave shumë personale me bashkëshortët e tyre. Përdorimi i gjerë i përgjimit ka çuar në rritje të shitjes së pajisjeve që bllokojnë përgjimin e telefonave. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara fillimisht e mbështetën hetimin lidhur me konspiracionin kundër qeverisë, duke e parë atë si pjesë të frymës demokratike në Turqi. Por ndërsa policia rrethoi gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, artistët dhe akademikët në këtë çështje që vazhdon të zgjerohet, po ngrihen pikëpyetje nëse partia në fuqi ka marrë nën kontroll drejtësinë, dikur një fortesë e elitës laike, për të dënuar kundërshtarët e saj politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›