PD, zbardhen emrat e sigurt
ADI SHKEMBI
Kur kanë ngelur më pak se 24 orë nga skadimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve, nis të konfigurohet natyra e listës së Partisë Demokratike. Dita e djeshme ka qenë më se e ngjeshur për Kryeministrin Berisha, ku përveç përcaktimit të emrave ai ka qenë i pranishëm edhe në Kuvendin e degës së PD-së së Tiranës. Burime të sigurta pranë kreut të maxhorancës bëjnë të ditur se tashmë është përcaktuar një pjesë e mirë e listës me 140 deputetë që do t’i kërkojnë elektoratit një mandat të dytë për koalicionin e djathtë. Mësohet gjithashtu, se lista do të orientohet drejt teknicienëve dhe stafit të ngushtë me të cilin Berisha ka punuar këto katër vite.
Lista
Gazeta ka mundur të sigurojë emrat e parë në 12 qarqet e vendit si dhe disa prej emrave, që do të kenë vende të sigurta, të cilat përkthehen në mandate deputetësh. Kështu në Tiranë, ashtu siç edhe e ka deklaruar publikisht i pari në listë do të jetë kryeministri Berisha. Në Durrës, ndryshe nga sa ishte thënë deri tani listën nuk do ta kryesojë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa por sekretari për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike, Ferdinand Xhaferri. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me qarkun e Dibrës, i cili ka gjashtë deputetë. I mbetur prej disa kohësh pa kryesues të fushatës, për shkak se emrat e dërguar deri tani nuk janë pritur mirë nga baza, Kryeministri Berisha ka vendosur që t’ia besojë ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana. Megjithëse Gjana prej shumë kohësh ka bërë fushatë në qarkun e Kukësit, mësohet se kreu i PD-së i ka kërkuar atij që të kalojë në qarkun e Dibrës. Në të njëjtën kohë, sekretari organizativ në PD, Flamur Noka do të jetë i pari në qarkun e Kukësit. Ndërsa qarqet e tjerë do të jenë të pandryshueshëm ku në Elbasan do të jetë Basha, në Gjirokastër Genc Ruli, në Berat Genc Pollo, në Shkodër Jozefina Topalli, ndërsa në Lezhë Fatos Beja.
Emrat e tjerë
Burimet bëjnë të ditur për gazetën gjithashtu, se veç 12 drejtuesve në qarqe vend të sigurt do të kenë të gjithë ministrat e kabinetit aktual. Kështu ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku mësohet se do të kenë vende të sigurt dhe konkretisht Bregu e Nishani në Tiranë ndërsa Turku në Elbasan. Në të njëjtën kohë mësohet se disa prej këshilltarëve të Kryeministrit Berisha si Suzana Guxholli, Selami Xhepa, Petraq Milo e Ylli Asllani do të kenë vende të sigurta në disa nga qarqet e vendit. Gjithashtu e njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa nga zv.ministrat e kabinetit qeveritar. Zv.ministrja e Kulturës, Zana Turku, zv.ministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj dhe disa zv.ministra të tjerë do të kenë vende të sigurta në listën e demokratëve. Dita e sotme pritet të jetë edhe më e vështira për lidershipin demokrat përpara se t’i jepet dora e fundit listës me 140 emra që do të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
KRERET E QARQEVE
Tiranë - Sali Berisha
Durrës - Ferdinand Xhaferri
Shkodër - Jozefina Topalli
Fier - Sokol Olldashi
Korçë - Ridvan Bode
Dibër - Jemin Gjana
Kukës - Flamur Noka
Berat - Genc Pollo
Vlorë - Astrit Patozi
Lezhë - Fatos Beja
Gjirokastër - Genc Ruli
Elbasan - Lulzim Basha
KRITERET E PD
Me përjashtim të Durrësit e Dibrës, krerët e grupeve të punës janë të parët në listën nëpër qarqe.
Të gjithë ministrat që nuk janë të parët nëpër qarqe do të kenë vende të sigurt në listë.
Disa nga këshilltarët e kryeministrit Berisha do të kenë vende të sigurt në listë.
Disa nga zv.ministrat e kabinetit qeveritar do të kenë emrat e sigurt në lista.