Berisha, nesër vizitë zyrtare në Maqedoni
Kryeministri, Sali Berisha nis nesër një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, proceset euroatlantike si dhe nisma të reja do të jenë pjesë e axhendës së kryeministrit shqiptar në Maqedoni.
Sipas axhendës Berisha ka planifikuar qëndrimin në Shkup dhe më pas në Tetovë. Agjencia e lajmeve INA bën me dije se kryeministri shqiptar do të zhvillojë takime me homologun e tij nikoqir, Nikolla Gruevski, presidentin Gjorgje Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe grupe parlamentare të partive shqiptare.
Gjithashtu janë parashikuar edhe takimet e ndara me liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe krerët e partive të tjera shqiptare. Berisha gjatë qëndrimit në Tetovë do të takohet edhe me kreun e komunës së Tetovës, Sadi Bexheti.