Socialistët, si po numërohen votat për anëtarët e Asamblesë
Pas pushimit për festën e Kurban Bajramit, në ambientet e Partisë Socialiste ka nisur numërimi i votave për anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Edhe pse ishte njoftuar se procesi do të niste në orën 09:00 të mëngjesit, realisht është pritur edhe disa orë të tjera. Deri mesnatën e djeshme procedura ka ecur me hapa shumë të ngadaltë. Burime nga grupet e numërimit pohuan se me këto ritme, i gjithë procesi mund të zgjasë deri ditën e enjte.
Në lokalin ngjitur selisë rozë vihej re prania e zyrtarëve të lartë socialistë, të cilët diskutonin me përfaqësues të zonave të tyre elektorale. Krahas diskutimeve për çështjet organizative, midis tyre është folur dhe për emrat e përfaqësuesve që do të vendosën në komisionin e numërimit të votave. Mëngjesin e djeshëm u fol për një numër rreth 40 personash që do të merreshin me procedurën e numërimit të votave, por për shkak të hapësirës të kufizuar ky numër shkoi në 21 të tillë. Numëruesit kanë pritur mbarimin e mbledhjes së grupit parlamentar socialist që më pas të shfrytëzonin ambientet ku zhvillohet mbledhja për të përfunduar procesin e leximit të votave të hedhura nga 1500 delegatë të Kongresit të Partisë Socialiste.
Rreth orës 14:00, kur edhe mbaroi mbledhja e deputetëve socialistë, disa prej tyre mbetën në selinë rozë për tu koordinuar me komisionin e numërimit të votave mbi mënyrën se si do të vijohej për të përfunduar procesin e votimit me shpalljen e listës përfundimtare. Një orë më vonë 21 përfaqësues nga çdo rreth i Shqipërisë janë ngjitur në katin e dytë të godinës të Partisë Socialiste.
Mësohet se pasi është marrë baza materiale, e cila ishte mbyllur mbrëmjen e së shtunës, ka nisur dhe trajnimi mbi mënyrën se si do të procedohen votat. Pasi gjithçka ka qenë e qartë për numëruesit, media është lejuar që të shohë nga afër fillimin e procesit. Në sallën ku do të zhvillohet për disa ditë rresht numërimi i votave u instaluan tre gupe me nga shtatë anëtarë, të cilët ishin vendosur përreth tavolinës që përdoret për mbledhje të ndryshme nga selia rozë.
Fillimisht ishte kryetari i komisionit të numërimit të votave, Ylli Hatellari, i cili ka sqaruar për mediat mënyrën se si do të operohet për të nxjerrë emrat e fituesve të Asamblesë Kombëtare. Si parantezë ai sqaroi se kutitë kanë qëndruar të mbyllura prej dorëzimit të tyre dhe çelësat e kutive të votimit kanë qëndruar të mbyllura në një zarf. Nëse do të ketë ndonjë paqartësi gjatë procesit të numërimit kryetari i grupit do të kontaktojë me mua dhe unë pastaj me grupin e deputetëve që janë në patronazh do të konsultohem me këtë problem. Pastaj do të merret një vendim në përputhje me statutin,- deklaroi Hatellari, duke sqaruar etapat që do të ndiqen në rast të ndonjë paqartësi nga grupet e punës. Pasi janë verifikuar të dhënat janë zbrazur tre kutitë. Në bazë të llogarive të bëra për të regjistruar të dhënat e fletës së votimit duhet mesatarisht tre minuta për çdo numërues.
Gjatë procesit të numërimit ka pasur edhe deputetë të tjerë që kanë mbikëqyrur nga afër punën që po bëhet për numërimin e votave. Një prej tyre, sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave do të zgjasë. Është e vështirë të jap një informacion sepse është një proces i kujdesshëm, më mirë të humbasim pak në kohë po të kemi një rezultat të mirëpranuar nga gjitha strukturat e Partisë Socialiste. Ne që kemi luftuar kaq shumë për votën e lirë nuk mund të lejojmë që të kemi problematika në numërimin e votës tonë,- deklaroi dje Klosi. Ai sqaroi se fleta e votimit është relativisht e vështirë dhe në komision ka përfaqësues nga çdo rreth i Shqipërisë.
Në listat e kandidatëve për anëtarë të rinj të Asamblesë janë futur përfaqësues nga çdo komunitet i Shqipërisë, çdo rreth i Shqipërisë fillon me numrin minimal 3, 4, 5 kandidatë dhe shkon deri në 10-15 të tillë, ku Tirana zë vendin kryesor pasi anëtarësia socialiste është më e madhe.
Procesi i numërimit të votave është parashikuar të zgjasë për tre ditë rresht. Ditën e djeshme, grupi i punës nuk ka nxjerrë një listë paraprake të të dhënave se kush udhëheq në listën e më të votuarve, pasi duhet një përpunim i emrave. Mësohet se vetëm në fund të votimit do të mund të mësohen emrat që do të jenë fitues sepse janë tre grupe numërimi dhe secili prej tyre po hedh të dhënat në një tabelë. Këto të dhëna më pas do të mblidhen dhe do të nxirren fituesit. Tabela e votave që merret nga numëruesi hidhet në një fletë, e cila ka numrat rendor nga 1 deri tek 183, aq sa edhe kandidatë janë. Grupi punës ka vijuar dje të numërojë votat deri në orët e vona të mbrëmjes dhe do të vijojnë sërish paraditen e sotme.
Rama-Topallit: Kurbanin blije të enjten në librari
Deklarata e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila e cilësoi Kongresin e PS-së si Kurban Kongres solli dje reagimin e Edi Ramës. Përmes faqes së tij në rrjetin social Tëitter, Edi Rama ironizoi me Topallin duke thënë se Kurbani-n duhet ta blejë ditën e enjte në librari. Kurbankongres Jozefinë? Ashtu do ta doje po s’të doli! Të enjten në librari. Ço dikë ta blejë jo vetë, se bllokon trafikun me eskortën tren,- shkroi Rama në Twitter.
Berisha: Autobuzi i PS po shkon drejt etërve
Kongresi dhe programi ekonomik i Partisë Socialiste duket se kanë shkaktuar jo pak reagime tek kryeministri Berisha. Për të disatën ditë me radhë ai ka komentuar programin ekonomik duke sulmuar idenë e opozitës për heqjen e taksës së sheshtë dhe heqjes së taksave për produktet ushqimore bazë. Të thuash që do heq taksën e miellit, por do prek bukën e grurin dhe pastaj thua jo nuk do heq të miellit, por të bukës, ke gënjyer tre herë. Por, mjerë ata që tentojnë të gënjejnë shqiptarët. Ata do tua presin vetë faturën, tha dje Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Ai iu rikthye edhe një herë çështjes së Kongresit të PS-së duke e krahasuar me një autobus që po e kthen PS-në në kohën e komunizmit. Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilësoi Topalli, Kurban-Kongres, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i Gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet. Por, kur nuk pranohet shkon kot. Atij nuk ju pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi, tha dje Berisha.
