Ligjet me 84 voto kthen për herë të tretë në Kuvend
Ligjet që kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar (84 vota) janë kthyer për herë të tretë në Kuvend me pretekstin se do të shqyrtohen nga komisionet e më pas do të miratohen me konsensus. Bëhet fjalë për ndryshimin e të gjitha Kodeve të Republikës së Shqipërisë me qëllim përafrimin e legjislacionit me kërkesat e BE-së. Herën e parë këto ligje kaluan në komisionet e Kuvendit në kohën kur opozita e bojkotonte këtë institucion. Për herë të dytë u kthyen në shtator, por vetëm formalisht pasi nuk u shqyrtuan realisht në komisione. Këtë herë duket se një pakt mes PD dhe PS do të bëjë që ligjet të rishqyrtohen dhe më pas të marin votat e të dyja krahëve të politikës.
Ligjet
Gjatë këtyre tre javëve, Komisioni i Ligjeve do të rimarrë në shqyrtim nga fillimi të gjitha ndryshimet që kërkohen dhe më pas do të rikalojnë në seancë plenare për votim. Në kalendarin e miratuar dje nga ky komision është vendosur për tu shqyrtuar të gjitha Kodet, edhe pse nuk kanë lënë një ditë fikse. Sipas kryetarit të komisionit, Ilir Rusmali, vendimmarrja do të jetë hap pas hapi. Këto projektligje do të jenë Kalendar dhe sipas rastit do ti caktojmë në ditët në vazhdim, sqaroi ai.
Janë tre ndryshime që priten të realizohen në Kodin Penal dhe po aq edhe në Kodin Rrugor. Në pritje të arritjes së konsensusit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës janë edhe ndryshimet në Kodin Civil, Gjykata Administrative si dhe Ndarja Administrative, e cila merr një rëndësi të veçantë për zgjedhjet e ardhshme dhe me nisjen e punës për reformën zgjedhore. Burime nga Opozita bëjnë të ditur se deputetët e saj do të ndërpresin marrëdhënien e kushtëzuar për miratimin e ndryshimeve, të cilat janë teknike siç janë Kodet. Opozita pritet që të japë mendimin e saj lidhur me ndryshimet dhe të shprehë pëlqimin edhe në seance plenare duke i votuar.
Rikthimi në komisione parlamentare i ligjeve që kërkojnë 84 vota ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e opozitës duke e argumentuar qëndrimin e saj me kohën e madhe që ka kaluar që nga shqyrtimi i tyre për herë të parë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar një javë më parë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli propozoi që, ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, të kthehen sërish në komisione parlamentare, pas rikthimit që i është bërë një herë në komisione gjatë muajit shtator. Kjo si një ofertë tjetër për ti dhënë mundësi përsëri opozitës të sjellë propozime për këto ligje, për të çuar kështu përpara procesin e zbatimit të 12 rekomandimeve të BE-së.
Rregullorja
Të hënën tjetër Komisioni i Ligjeve do të marrë në shqyrtim edhe draft propozimin e paraqitur nga opozita për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Kjo kërkesë ishte bërë nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. Opozita kërkon rikthimin e rregullores siç ka qenë para vitit 2009, kur mazhoranca vendosi që të forcojë rregullat me forcën e kartonit. Kërkesa kryesore e saj lidhet me rikthimin e votimit të fshehtë për shkarkimin e anëtarëve të organeve Kushtetuese (Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm etj). Drafti i ndryshimeve që kërkojnë socialistët, përfshin ekuilibrimin e kohës së diskutimeve ndërmjet anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës si dhe rikthimin e debatit 60 minutësh në fillim të seancash plenare. Për të shmangur praktikat e deritanishme, socialistët kërkojnë edhe zvogëlimin e kompetencave të kryetarit të Kuvendit për të përjashtuar nga seancat dhe komisionet deputetët, kur ata shkelin rregulloren, e drejtë e shfrytëzuar sipas tyre deri tani vetëm për opozitën.
PS braktis Komisionin e Integrimit
Opozita braktisi dje mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Integrimit pasi mazhoranca nuk pranoi kërkesën e saj për shtyrjen e mbledhjes. Dy përfaqësuesit e opozitës, Taulant Balla dhe Ditmir Bushati kërkuan shtyrjen e mbledhjen për shqyrtimin e ligjit për Për bankat në Republikën e Shqipërisë, pasi edhe komisioni përgjegjës e ka shtyrë. Një kërkesë e tillë nuk u pranua nga drejtuesja e Komisionit, Mesila Doda, e cila ironizoi qëndrimin e tyre. Është hera e disatë që PS funksionon me marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin edhe pse keni deklaruar se do bashkëpunoni,- tha Doda.
PD-PS bien dakord: Të ulemi në tryezë për ndryshimin e Kodit
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur konsensusin për tu ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar mbi ndryshimet që duhet ti bëhen Kodit Zgjedhor. Pas një periudhë negociatash pa shumë bujë mes të të dërguarve të socialistëve dhe atyre demokratëve, janë gjetur pikat e përbashkëta midis palëve. Kjo ka sjellë që selia rozë dhe ajo blu të ecin në një tjetër stad të bisedimeve, në të cilin do të flasin për çështje konkrete që lidhen me modifikimin e Kodit Zgjedhor, që do të shërbejë si dokument bazë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lajmi është bërë i ditur nga negociatori i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i cili ka raportuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist për rezultatin e bisedimeve me homologët e PD-së.
Burime nga ky takim sqaruan për gazetën Shekulli se nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS ka njohur deputetët me detajet konkrete të negociatave dhe hapat që do të hidhen në ditët në vijim. Gjatë raportimit përpara anëtarëve të grupit, anëtari i Komisionit të Ligjeve ka thënë se në tavolinën e përbashkët teknike, në të cilën do të ftohen të marrin pjesë ekspertë të OSBE-së edhe të BE-së, është rënë dakord që të mos ketë asnjë kufizim mbi diskutimet teknike se çfarë duhet të ndryshohet në kod.
Ai njoftoi gjithashtu se ka pasur një interes të Bashkimit Europian për bërjen e reformës parlamentare dhe për Kodin Zgjedhor. Bisedimet kanë ecur mirë. Është rënë dakord që të ngrihet një tryezë për reformën zgjedhore, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita, ku të diskutohen të gjitha ndryshimet në Kod Zgjedhor, sigurisht edhe me asistencën e ODHIR. Interesimi për dialog ka qenë i vazhdueshëm dhe është arritur një marrëveshje paraprake që të krijohet një tavolinë e përbashkët për të diskutuar çdolloj ndryshimi,- mësohet të jetë shprehur Damian Gjiknuri përpara grupit parlamentar socialist.
Arritja e një marrëveshje paraprake midis përfaqësuesve të dy partive politike ka ardhur pas pranimit të kërkesës së socialistëve që për të gjitha pikat që nuk bihet dakord dhe nuk arrihet në një qëndrim të përbashkët do ti drejtohen Komisionit të Venecias dhe përfundimet do të miratohen unanimisht. Ky propozim është bërë sipas pikës tre të pakti të propozuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, Për një Shqipëri si të gjithë Europa. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda marsit të vitit 2012 bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE/ODHIR-it duke rënë dakord se çdo propozim i Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor që merr dritën jeshile të ODHIR-it dhe/ose Komisionit të Venecias pasi gjendet në përputhje me standardet ndërkombëtare miratohet me konsensus, si edhe të përfshijmë në procesin e kësaj reforme një ekspert me përvojë të sugjeruar nga ODIHR-i, – ishte propozimi i socialistëve. Pak ditë pas këtij propozimi, ka qenë kryeministri Berisha, i cili i ka dhënë dritën jeshile për pikën tre të paktit të publikuar nga socialistët. Më tej, përfaqësuesit e PS-së, Damian Gjiknuri e Vasilika Hysi dhe përfaqësuesit e PD-së, Viktor Gumi e Oerd Bylykbashi, kanë rënë dakord mbi modalitet e tryezës për reformën zgjedhore.
Rama: Të larguarit nga PS duhet të rikthe
