E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nga SMS-të telefonike, vazhdon fushatën me e-mail-e



Kryeministri Berisha vazhdon të bëjë fushatë elektronike. Nga SMS-të që ua nisi një numri të konsideruar qytetarësh, abonentë të kompanive celulare, dje, kryetari i PD-së ka dërguar mesazhe elektorale nëpërmjet adresës personale të e-mail-it. Në mesazhin e tij elektoral dërguar elektronikisht qytetarëve kreu i qeverisë rendit disa nga arritjet e qeverisë së tij gjatë katër viteve në pushtet.
“I dashur Mik/E dashur Mike,
Katër vjet më parë, Partia Demokratike premtoi ndryshimin e Shqipërisë. Ne e mbajtëm këtë premtim. Që prej 2005-s ne kemi krijuar 80 000 vende të reja pune. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 6 000 kilometra rrugë për t’i afruar shqiptarët me botën dhe njëri-tjetrin. Kemi rritur 200% ndjekjen penale kundër korrupsionit. Kemi ndërtuar dhe rinovuar 700 rrjete kanalizime dhe ujësjellësish. Kemi ndërtuar dhe rinovuar 1012 shkolla dhe 720 qendra shëndetësore dhe spitale. Kemi dyfishuar rrogat për 60 000 arsimtarë, mjekë dhe infermierë dhe i rritëm rrogat e tjera mesatarisht 60%-70%. Dyfishuam pensionet për 160 000 pensionistë dhe i rritëm ato 50%-70% për 360 000 të tjerë. Mbajtëm premtimin për të siguruar 24 orë drita. Anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - shkruhet në e-mail-in e Berishës. Më tej ai u bën thirrje qytetarëve të vazhdojmë së bashku ndryshimin për të ndërtuar Shqipërinë Europiane. “Për të arritur këtë, kemi nevojë që ju të bëheni pjesë e vazhdimit të Ndryshimit duke votuar numrin 10, Partinë Demokratike më 28 qershor”
”Këto zgjedhje që po afrohen janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Vendimet që do të marrë qeveria e ardhshme do të kenë ndikim afatgjatë për vendin tonë, për ju dhe për fëmijët tuaj”, - shkruhet në e-mail, ndërsa më poshtë renditen premtimet elektorale të PD-së gjatë katër viteve në vazhdim. “Me mbështetjen tuaj, në katër vitet e ardhshme ne do të: liberalizojmë vizat për të lëvizur të lirë në BE brenda 365 ditëve të para të mandatit të dytë; fillojmë negociatat për anëtarësim të plotë në BE; krijojmë 160 000 vende të reja pune; rrisim rrogat dhe pensionet që të jenë më të larta se 6 shtete anëtare aktuale të BE-së; furnizojmë 24 orë në ditë me ujë çdo familje; ndërtojmë boshtet e shkurtra rrugore dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugët e vendit; rrisim buxhetin për kujdesin shëndetësor me 60% për të rritur standardin e shërbimit etj.”, - shkruhet në mesazhin e kryetarit të PD-së.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›