Majlinda Bregu: Opozita, i vetmi problem që pengoi marrjen e statusit, e thotë qartë Këshilli i BE
Deklarata e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për Shqipërinë është shumë e shkurtër. Thuhet se mirëpritet marrëveshja mes palëve, theksohet se zgjedhjet ishin pa asnjë dyshim me parregullsi dhe se nuk është plotësuar asnjë nga 12 kriteret.
Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kriterit politik për anëtarësim dhe të dymbëdhjetë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në dokument. Doni ta dini si e lexon këtë paragraf ministrja Majlinda Bregu, e cila paguhet nga shqiptarët për integrimin e vendit?
Siç kuptohet qartë në konkluzionet e Këshillit, problemi i vetëm që ka penguar për 2 vjet me radhë marrjen e statusit të vendit kandidat, pavarësisht pretendimeve boshe të kryetarit të Partisë Socialiste, i cili nuk pranon as sot përgjegjësitë e tij, ka qenë ngërçi politik i krijuar nga mungesa e vullnetit të opozitës, për të votuar ligjet me 3/5, për tu angazhuar në reformën zgjedhore dhe për të bashkëpunuar në plotësimin e 12 prioriteteve të BE-së. Nëse opozita nuk do të kishte refuzuar për 2 vjet rresht bashkëpunimin me maxhorancën për përmbushjen e kriterit politik, sot statusi i vendit kandidat do të ishte realitet, thotë Bregu.