E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha niset për në Gjermani, do marrë pjesë në punimet e Konferencës së 48-të të Sigurisë

03-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, e cila zhvillohet në datat 3 - 5 shkurt. Gjatë ditëve të zhvillimit të Konferencës, Kryeministri Berisha do të takohet me personalitete të ndryshme, pjesëmarrës në këtë eveniment. Konferenca e Sigurisë e Mynihut, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë. Çdo vit ajo bashkon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikë bërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre. Në sesione të veçanta të saj, Konferenca do të trajtojë tema të ndryshme si roli i Gjermanisë në Evropë e në botë; energjia, burimet dhe ambienti si parametra të një sigurie të re; ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Evropa dhe ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare, etj. Konferenca drejtohet nga Wolfgang Ischinger, i cili ndër të tjera ka qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian në trojkën për statusin e Kosovës, para shpalljes së pavarësisë së saj. Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti, ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Presidenti i Polonisë, Presidenti i Gjeorgjisë, ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, President i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›