E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krivokapiç, takime me autoritetet

Tiranë

Autoritetet më të larta shqiptare kanë biseduar me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, kryesisht për thellimin e lumit Buna dhe më pak për të drejtat e shqiptarëve të Malit të Zi. Krivokapiç, i cili është dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate malazeze, është takuar dje me homologen e tij shqiptare, Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha dhe me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Sot do të pritet nga Presidenti Bamir Topi dhe do të mbajë një fjalim në Parlamentin shqiptar. “Mes Malit të Zi dhe Shqipërisë ekziston një model bashkëpunimi dhe dialogu i shkëlqyer. Në këtë frymë nisi sot takimi mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Biseda mes dy kryetarëve të parlamenteve u përqendrua në projektet e zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, ku veçanërisht u trajtua projektimadhor për liqenin Shkodrës dhe lumin e Bunës, si projekt me interesa të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe kreu i Parlamentit të Malit të Zi kanë ndarë bindjen e përbashkët se projektet e përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve respektive, si dhe të rajonit në tërësi. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, gjatë takimit me Krivokapiç, rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit europian të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e liberalizimit të vizave me zonën Shengen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›