Nënë Tereza, Berisha tërhiqet për eshtrat
Deklarata
Kryeministri dje ka deklaruar se ajo i përket gjithsesi Kalkutës
Qeveria shqiptare duket se ka hequr dorë përfundimisht nga qëndrimi i saj për t’u kërkuar autoriteteve indiane kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri. Kjo u vu re gjatë fjalës së djeshme të Kryeministrit, të mbajtur në mbledhjen e radhës së qeverisë, në të cilën Kryeministri Berisha theksoi se ky është një vit i rëndësishëm për shqiptarët, nisur nga 100-vjetori i lindjes së saj. “Nënë Tereza, siç e ka shprehur edhe vetë, me gjak ishte shqiptare, por në të vërtetë, për përkatësi vendi ajo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, sepse Kalkuta ishte qyteti ku ajo zgjodhi të përballej për dekada e dekada me vuajtjen dhe dhimbjen njerëzore”, deklaroi Berisha në lidhje me përkatësinë e Nënë Terezës. Sipas Kryeministrit, Kalkuta është qyteti ku hapësirat e të përjashtuarve, e të braktisurve, ishin më të mëdha sesa në qytetet e tjera dhe për këtë arsye Nënë Tereza ia kushtoi jetën atij qyteti. Në lidhje me festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, ditë e cila konsiderohet 27 gushti i këtij viti, Berisha theksoi se do të festohet me gjithë respektin që meriton. Madje Kryeministri shtoi se i gjithë viti 2010 për Shqipërinë dhe shqiptarët do të jetë viti i Nënë Terezës. Në këtë kuadër, Berisha njoftoi ngritjen e një komiteti, i cili do të drejtohet nga ministri i Kulturës dhe do të zbatojë projektin që një grup pune po përgatit për këtë 100-vjetor. “Ky projekt duhet dhe do të udhëhiqet nga një nderim dhe mirënjohje e thellë mbarëpopullore ndaj veprës së ndritur, trashëgimisë së mrekullueshme që ajo la për njeriun dhe për njerëzimin”, porositi Berisha. Një nga hapat konkretë që do të ndërmerren në nder të këtij përvjetori është edhe spostimi i bustit të Nënë Terezës, në qendër të sheshit që mban emrin e tij. “Kryeqyteti i vendit ka një ndër sheshet më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban emrin e saj. Shtatorja e Nënë Terezës është e vendosur, mendoj, me një përzgjedhje jo të goditur, ndaj ajo duhet të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet e të vendoset në shesh”, deklaroi Kryeministri Berisha. Po kështu, Kryeministri theksoi se po shikohet mundësia e ngritjes së një muzeu modest për Nënë Terezën në Tiranë.
#