E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, nje demagog i rrezikshem per shtetin

Kryeministri Sali Berisha, ndërsa gjendej përballë mbështetësve të tij në qytetin e Elbasanit, foli me tone agresive ndaj njerëzve të korruptuar. Me karizmën që e karakterizon si njeri dhe me demagogjinë pa fre që e udhëheq në jetën e politike, ai u tha njerëzve në sallë, e përmes ekranit, ne të tjerëve jashtë saj: "Mos paguani ryshfet, mos u jepni të korruptuarve asnjë qindarkë … Ju duhet ta gjykoni Sali Berishën shumë ashpër, nëse unë, pas denoncimit që do t‘u bëni ju njerëzve të korruptuar, nuk do t‘u tregoj atyre vendin... prangat dhe vetëm prangat, burgun dhe derën e qelisë".

Populli, ndërsa e dëgjon Kryeministrin e tij të flasë në këtë mënyrë, mund të mendojë se ai vërtet është armiku më i madh i të korruptuarve. Por, po të mendosh pak më hollë, duhet të kesh droje të jetosh në një vend të drejtuar nga të tillë politikanë. Ka disa arsye për ta bërë këtë konstatim ekstrem.

Së pari; Kryeministri i vendit tonë tha se do t‘u tregojë të korruptuarve vendin e merituar, prangat dhe burgun. Dhe kjo mund të duket optimiste për këdo, por njerëzit e drejtësisë mund të pyesin: Kush është ky Kryeministër që ka në dorë edhe t‘u vërë pranga njerëzve të korruptuar, edhe t‘i burgosë e t‘i dënojë ata? Kryeministri ynë, këtu ose luan me kartën e demagogut për të dehur turmat popullore, ose, akoma më keq, ai kujton se është edhe Kryeministër, edhe prokuror, edhe gjykatës. Dhe pikërisht këtu qëndron dhe frika më e madhe të bashkëjetosh me qeverisjen e një politikani të tillë.

Së dyti; Kryeministri ynë u drejtohet turmave dhe u thotë: mos paguani ryshfet. Por, a mos vallë njerëzit që u paguajnë ryshfet zyrtarëve e bëjnë këtë për hobi? A mos vallë ata kanë para të tepërta që t‘ua japin mjekëve, nëpunësve të bashkive, prefekturave apo komunave për të përfituar edhe shërbimin më të thjeshtë? Mos vallë biznesmenët ua japin vullnetarisht paratë drejtorëve apo ministrave që drejtojnë komisionet e tenderëve për ndërtimin e rrugëve, shkollave e ujësjellësve? Edhe sikur..., mospagimi i ryshfetit nuk do ta eliminonte korrupsionin, pasi ai nuk jepet vetëm për të përfituar shërbimin që të takon. Ai jepet në gjykatë, prokurori e polici për të deformuar drejtësinë, jepet në shkollë për një diplomë të pamerituar, jepet në çdo institucion për të përfituar privilegje të pamerituara.

Në fund të fundit, a mos vallë është populli ai që duhet ta denoncojë korrupsionin? Berisha krekoset para turmave duke u thënë: Denoncojini ju, se ua tregoj unë qejfin të korruptuarve. Të gjithë ne e dimë se roli i popullit në luftën dhe denoncimin e korruptimit është i pakonsiderueshëm përballë atij që duhet të kenë strukturat e specializuara të shtetit, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Auditi i Brendshëm, prokuroria, shërbimet sekrete etj. Çdo vit, KLSH nxjerr shifra të frikshme për paratë e shtetit, të abuzuara nga institucionet dhe nëpunësit, çdo vit Auditi i Brendshëm nxjerr shifra alarmante për paratë e vjedhura apo të shkuara dëm nga paaftësia. Ku janë prangat dhe qelitë?

Së treti; Kryeministri ynë i bën këto deklarata të ashpra kundër të korruptuarve m‘u në pikun e një lufte të madhe mes drejtësisë dhe zyrtarëve më të lartë të qeverisë të akuzuar për korrupsion. Dhe Berisha është rreshtuar m‘u bash në anën e të korruptuarve, duke u bërë edhe barriera më e fortë e luftës ndaj korrupsionit.

Faktori ndërkombëtar u detyrua të investohet publikisht javën e shkuar për të mundësuar mbarëvajtjen e punëve në ngrehinën e shtetit shqiptar. Dhe, kësaj radhe, jo në mënyrë informale, pa shumë tone diplomatike dhe me nota serioze. Ambasadori amerikan bëri një deklaratë të ashpër adresuar Kuvendit të Shqipërisë dhe faktorit politik, që po heziton t‘i dorëzojë prokurorisë deputetin Fatmir Mediu. Pas një takimi që kishte zhvilluar me Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, ambasadori amerikan e "lëshoi" dorën, duke firmosur një deklaratë të fortë për pengesat, presionet dhe ndërhyrjet politike në hetimet që po bën prokuroria për tragjedinë e Gërdecit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka marrë përsipër një rol të paprecedent, atë të shtyrjes pa limit të seancës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Megjithatë, ne të gjithë e dimë se Topalli nuk është duke përmbushur ndonjë mision të sajin personal në këtë histori. Pas asaj që ndodhi më 15 mars, duhej të kishin mjaftuar vetëm 24 orë që i akuzuari kryesor t‘i dorëzohej drejtësisë. Por janë bërë katër muaj dhe ende mazhoranca tërhiqet zvarrë, me brekë nëpër këmbë, pa guxuar dot ta bëjë. Meqë Berisha kërkoi që populli t‘i denoncojë të korruptuarit, që ai t‘u tregojë vendin, ja ku është njëri: Mediat, nga Tirana në Nju Jork, kanë denoncuar aferën më të madhe korruptive, atë të vjedhjes së pasurisë së shtetit përmes kantierit të Gërdecit që solli edhe tragjedinë e 15 marsit. Përse ai nuk ia tregon vendin Mediut?

Së katërti; po javën e shkuar, dy prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të diplomacisë së huaj në Tiranë, ambasadori amerikan dhe ai i BE-së në Tiranë, ishin në zyrën e Presidentit të Republikës. Përtej njoftimeve zyrtare, vizita e tyre lidhet me një luftë të fortë politike mes Kreut të Shtetit dhe Kryeministrit, i cili në këtë çështje përfaqësohet publikisht nga Kryetarja e Kuvendit. Presidenti ka dekretuar 5 anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë dhe Kryetarja e Kuvendit nuk i fut në rendin e ditës për votim. Shkaku është zbuluar tashmë publikisht: Berisha po kërkon të gjitha shkaqet e mundshme për të mos i votuar ato dekrete, sepse kërkon të dërgojë në forumin më të lartë të gjyqësorit njerëz të tij.

Me gjithë zvarritjen, një ditë ai do t‘ia dorëzojë Fatmir Mediun prokurorisë, ndaj Berisha po kërkon t‘i dalë përpara të keqes në Gjykatën e Lartë, institucionin që gjykon zyrtarët e lartë. Ai po bën rrëmujë tërë shtetin për ta arritur këtë. Duhet të ketë një arsye tjetër të madhe për Berishën që Mediu të mos dënohet, pasi për besnikëri kolegësh Berisha nuk para dallohet. Njerëzit pranë tij kanë shkruar në shtyp se po u dënua Mediu ai mund të nxjerrë të tjera habere nga krateri i Gërdecit.

Ja pse Berisha Gërdecin e ka cilësuar thjesht një aksident teknologjik dhe jo një produkt të korrupsionit. Ja pse ai turret poshtë e lart dhe bërtet: M‘i gjeni të korruptuarit, se ua tregoj unë qejfin! Ai po kërkon që flamurin e antikorrupsionit ta përdorë si qefin për të varrosur një nga skandalet më të mëdha korruptive të qeverisë së tij. Të jesh demagog është zotësi në politikë, por Berisha është një demagog i rrezikshëm për shtetin.

Dikush mund të thotë se nuk duhet të shqetësohemi kaq shumë për ato që thotë Kryeministri, pasi të gjithë e dimë se Berisha kështu ia mbyt gjithmonë dhe pakkush i merr tashmë seriozisht ato që thotë. Por derisa ai është Kryeministër, deklaratat e tij nuk duhet të anashkalohen, sikur të jenë thënë te çezma e fshatit, ku gratë marrin nëpër gojë sho-shoqen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›