E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientë të vdekur, arrestime në klinikë

Policia italiane ka vënë nën arrest 14 mjekë italianë nën akuzat se kanë kryer operacione të panevojshme, me qëllim që të marrin më shumë para duke çuar në vdekjen e pesë pacientëve. Dy mjekë të klinikës private "Santa Rita", në Milano, janë arrestuar si të dyshuar për vrasje. 12 të tjerë, përfshirë drejtorin e klinikës, janë vënë nën arrest shtëpie. Mbi ta, rëndojnë kështu akuza që nga vrasja e deri te dëmtimi trupor dhe mashtrim të sistemit shëndetësor. Sipas policisë, pesë pacientë të moshuar kanë vdekur si pasojë e operacioneve krejt të panevojshme, të cilave iu nënshtruan. Mes viktimave, ishte edhe një grua e moshuar që vdiq pasi iu nënshtrua tre operacioneve radhazi për të hequr një masë tumorale në një kohë kur një ndërhyrje e vetme duhej të kishte qenë e mjaftueshme. Policia thotë se ajo ishte dobësuar shumë nga operacionet e përsëritura derisa ishte ndarë nga jeta. Hetuesit thonë se stafi në klinikë, kishte falsifikuar teste mjekësore në mënyrë që t‘u hapte rrugë operacioneve. Në disa raste, thanë ata, stafi kishte rritur të ardhurat e tyre mujore edhe me më shumë se 25 mijë euro. Prokurorët thonë se disa kaseta audio, të regjistruara, kishin qenë thelbësore në zbulimin e skandalit. Për momentin, përdorimi i tyre, është një çështje e nxehtë politike në Itali. Kryeministri Silvio Berluskoni, ka premtuar se do të kufizojë përdorimin e tyre vetëm në rastet e terrorizmit dhe mafies, por gjykatësit thonë se regjistrimet janë thelbësore edhe në raste të hetimit të krimeve të tjera serioze siç janë ryshfetet dhe korrupsioni. Ka gjithsesi një mbështetje thuajse totale mbi faktin se abuzimi me regjistrimin e bisedave telefonike, shpesh për të publikuar biseda personale të sikletshme, duhet të ndalet. Por, kritikët e planit të Berluskonit thonë se pa këto regjistrime, disa skandale të kohëve të fundit në sistemin bankar apo në sport, nuk do të ishin zbardhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›