E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralizohet Evropa, kamionistët në grevë

Dhjetëra e mijëra kamionistë spanjollë kanë filluar një grevë pa afat në shenjë proteste mbi çmimin e naftës, që është rritur me 20 për qind vetëm këtë vit. Pasi ndalën punën në mesnatë, u bllokua trafiku në një nga pikat e kalimit kufitar mes Spanjës dhe Francës. Bllokimi i kufirit ka shkaktuar radhë të gjata makinash deri në 10 km që presin të kalojnë në anën tjetër të kufirit. Kamionët po ashtu bllokuan trafikun dhe në disa qytete të të dy vendeve. Shumica e 90 mijë shoferëve të kamionëve që marrin pjesë në grevë janë të vetëpunësuar ose punojnë për kompani të vogla transporti. Qeveria po përgatit një paketë ndihmash për sektorin, me hua emergjence dhe kontrata më fleksibile. Ajo gjithashtu, do të ofronte pagesa kesh për shoferët e vjetër të kamionëve që do të donin të dilnin në pension. Peshkatarët francezë nga portet mesdhetare, ndërkohë, u janë bashkuar kolegëve në portet e tjera duke pezulluar aktivitetin e tyre në prag të një samiti të BE-së, më vonë, këtë muaj. Ndërkohë, si pasojë e kësaj greve, pritet të ketë edhe një pezullim të furnizimeve me naftë. "Ne jemi ata që transportojmë mallrat për të cilat ky vend ka nevojë", thotë shefi i Shoqatës së Transporteve, Julio Villascusa. "Nëse ne ndalim punën, nuk do të kemi para për të blerë karburante, atëherë edhe vendi do të ndalë frymën". Të tjerë sindikalistë thonë se shumë prej transportuesve të vegjël po shkojnë drejt falimentimit. "Nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër. Nuk mund ta përballojmë më çmimin e karburantit. Kjo është e thjeshtë", thotë ai. Kamionistët kanë paralajmëruar gjithashtu se shumë supermarkete do të mbeten pa mallra brenda pak ditëve në rast se nuk ndryshon situata. Ndërkohë, disa kamionëve grevëthyes iu thyen xhamat, iu prishën dritat dhe iu çanë gomat. Shoferët e kamionëve po marrin mbështetje nga homologët e tyre në Portugali dhe Francën Jugore që gjithashtu kanë lënë punën dhe kanë bllokuar trafikun në një prej trajektoreve kryesore drejt Spanjës. Gjithsesi, sindikata më e madhe e transporteve, në Francë, nuk po merr pjesë në këtë grevë. Shoferët duan që qeveria spanjolle të përcaktojë, me ligj, një çmim minimal për shërbimet e tyre dhe të sigurojë kontrata transporti më të mira ku të reflektohet edhe kostoja e karburantit që është rritur jashtëzakonisht shumë në krahasim me fillimin e vitit. Greva e tyre pasohet me ato të kamionistëve në Francë dhe vende të tjera evropiane. Ata po ndjekin shembullin e kolegëve spanjollë dhe peshkatarëve francezë, shumë prej të cilëve janë hedhur në grevë për shkak të kostos tashmë të papërballueshme të karburanteve. Peshkatarët kanë thënë se ata do të dalin nga biznesi në rast se BE nuk do të lejojë qeveritë kombëtare që t‘u japin më shumë ndihma financiare dhe subvencione. Gjithsesi, BE ka insistuar se çdo subvencion për karburantet do të ishte i paligjshëm sipas ligjit evropian dhe i papërballueshëm në planin afatgjatë. Bashkimi Evropian thotë se taksa e vlerës së shtuar mbi karburantet, nuk mund të jetë më pak se 15 për qind. Vendet anëtare, ndërkohë, janë të lira të përcaktojnë shkallën e kësaj takse në apo mbi këtë minimum.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›