E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush i thotë "lamtumirë" Evropës

Ndërsa zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen, vizita e Presidentit Xhorxh Bush në kryeqytetet më të mëdha të Evropës Perëndimore, pritet të jetë një udhëtim lamtumire, pavarësisht se i lënë disi në hije. Sytë e shumë njerëzve dhe qeverive në Evropë, janë drejtuar që tani nga senatorët Barak Obama dhe Xhon MekKejn, ndërsa Evropa shpreson për gjëra më të mira nga Presidenti i ardhshëm amerikan. Një sondazh i zhvilluar së fundmi, tregon se në Britani, Francë, Gjermani dhe Rusi, gjithnjë e më shumë e shohin SHBA-në si një forcë djallëzore. Vetëm në Itali, SHBA shihej më pozitivisht. Dhe senatori Barak Obama, ishte qartazi i preferuari në pesë vendet evropiane për Presidentin e ardhshëm amerikan. Kjo tregon se edhe Evropa kërkon ndryshim edhe pse mbetet e vërtetë se vendet e ish-bllokut sovjetik kanë këndvështrime shumë më të mira për administratën Bush sesa Evropa Perëndimore. Udhëtimi i nisur dje, do të ketë si etapa disa kryeqytete perëndimore edhe pse Bush do ta nisë këtë turne të radhës me një samit të përvitshëm BE-SHBA, që këtë vit mbahet në Slloveni. Më pas, ai do të vizitojë Berlinin, Romën (përfshirë Selinë e Shenjtë ku do të takojë sërish Papa Benediktin), Parisin dhe Londrën e madje do të ketë edhe një ndalesë në Belfast gjatë rrugës së kthimit. Presidentët, në fazën e tyre të tërheqjes, synojnë të udhëtojnë nëpër botë në mënyrë që t‘u thonë lamtumirë miqve të vjetër dhe vënë theksin jo te dallimet, por te lidhjet historike. Dhe e tillë do të jetë edhe kjo vizitë, me një shikim prapa te ndjenjat e ngrohta të lindura nga ndihma dhënë Berlinit, në 1948-ën dhe Plani Marshall që e ngriti sërish në këmbë Evropën Perëndimore pas luftës shkatërrimtare. Të shohësh pas, është e lehtë. Probleme ka me shikimin përpara. Iraku ishte një etapë që cenoi lidhjet dhe marrëdhëniet transatlantike, por edhe ato mes qeverive evropiane. Ai mbetet sërish një problem. Pozicioni i Bushit është dëmtuar edhe nga kujtimet e ish-sekretarit të tij për shtypin, Skot MekKlelan, që thotë se administrata "Bush" kishte "mashtruar" botën për Irakun nëpërmjet një fushate propagande politike. Prej pjesës më të madhe të qeverive evropiane, Iraku konsiderohet një gabim historik. Liderët evropianë do të donin po ashtu të dëgjonin se burgu amerikan në gjirin e Guantanamos, në Kubë, do të mbyllet dhe se SHBA nuk do të përdorë asgjë të ngjashme me torturën, por kjo mbetet në duart e Presidentit të ardhshëm. Gjithsesi, në këtë turne, do të ketë shumë çështje të rëndësishme për t‘u diskutuar ashtu siç ndodh gjithnjë në një vizitë presidenciale. Ndër to, përpjekjet e SHBA-së për më shumë sanksione kundër Iranit në lidhje me çështjen bërthamore dhe një apel i Bushit drejtuar Evropës, për të ecur në një hap me SHBA-në në lidhje me fondet për problemet shëndetësore në botë. Një tjetër problem pritet të jetë shteti i Palestinës, për të cilin Bush u bë Presidenti i parë amerikan që e mbështet, por që ende nuk është shfaqur. Bush kishte shpresuar që brenda mandatit të tij ky shtet të krijohej, por duket se tashmë nuk ka kohë për këtë. Ai largohet nga detyra më 20 janar 2009. Por, përtej Irakut dhe Lindjes së Mesme, ku shpresat e Bushit për demokraci më të forta kanë ngecur në vend, mbetet edhe një pikëpyetje se ku po shkojnë SHBA-ja dhe Evropa. Siguritë e vjetra të Luftës së Ftohtë, nuk janë më. Siguri të reja janë shfaqur, veçanërisht në antagonizmin e Rusisë, një subjekt që Bush do ta ngrejë edhe gjatë kësaj vizite. Por sërish, gjithçka do të jetë në duart e Presidentit të ri amerikan dhe Evropës. Ndërkohë, edhe vetë Bashkimi Evropian, duket se nuk e di se ku po shkon. Është fakt që qeveritë evropiane kanë të drejtën të formulojnë politikat e tyre të jashtme. Rezultat i kësaj është se diplomatikisht, Evropa si e tërë, qëndron shumë më poshtë sesa pesha e saj ekonomike. Kjo i jep SHBA-së më shumë avantazh e ndërkohë, Evropa është shpesh e ndarë. Në fund të ditës, SHBA dhe Evropa do të jenë sërish të lidhura bashkë nga interesat globalë, mes të cilave ekonomia dhe terrorizmi ndërkombëtar. NATO duket se do të jetë jetëgjatë, ndoshta nën presionin e pasigurive të reja mbi Rusinë paçka se në një Evropë ideale, nuk do të kishte nevojë për të. E gjithçka u tha më sipër, gjithashtu, do të jetë në axhendën e Presidentit të ri amerikan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›