Lukas i bën skaner Shqipërisë
Kur në vitin 1986 Peter Lukas mbërriti në Shqipërinë komuniste si i dërguari i "Boston Herald", nuk mund ta mendonte se vendi i mbushur me kaq shumë bunkerë do të ishte një ndër më interesantët e karrierës së tij si gazetar. Për vite me radhë ai eksploroi në mënyrën e tij gjithçka për Shqipërinë. Si përfaqësues i shtypit është takuar me personalitetet më të larta të vendit, ka lexuar çdo gjë të shkruar për këtë vend dhe në kthimet e tij në SHBA, Shqipëria ka qenë gjithnjë në një kënd të shtëpisë. Ndoshta në dorëshkrimet pafund që Lukas shkruante çdo mbrëmje për vendin e vogël në zemër të Ballkanit, që mbart mbi vete histori vërtet të rralla. Disa muaj më parë Lukas erdhi në Tiranë për të shoqëruar regjisorin e njohur me origjinë shqiptare, Stan Dragoti, por dhe për t‘u treguar miqve të tij mbi projektin që do e hidhte në libër së shpejti. Historia e misionit amerikan në Shqipëri gjatë luftës nacionalçlirimtare ishte një nga historitë më tërheqëse në morinë e gjërave të pathëna për historinë tonë këto vite. Peter kishte zbuluar gjithçka për këtë mision që kishte operuar shumë pranë ish-diktatorit Enver Hoxha, gjatë kohës që ai ishte në krye të shtabit nacionalçlirimtar. Këto rrëfime që çdo kush do të donte t‘i lexonte, të cilat Lukas i kishte kërkuar me aq ngulm në bibliotekat e Nju Jorkut, tashmë mund të lexohen në librin e tij "Misioni amerikan në Shqipëri". Dje Lukas ishte sërish në Tiranë, por këtë herë për ta promovuar këtë libër bashkë me një tjetër libër të tij të quajtur "Rrumpalla". Gazetari i njohur i "Boston Herald" nuk na solli vetëm të vërtetat e pathëna mbi misionin OSS në Shqipëri, por dhe një vështrim të tij mbi politikën shqiptare pas viteve ‘90. Me një gjuhë të pastër, Lukas duket se ka hyrë në mendjen e politikës shqiptare, duke sjellë një përcaktim të qartë për secilin nga këta protagonistë. Të dy librat janë botuar nga "Bota shqiptare". Peter Lukas ka qenë në Shqipëri mbi njëzet herë. Këto inkursione nëpër vite i kanë shërbyer atij jo vetëm të njohë në imtësi jetën shqiptare, por edhe të takojë personazhe të politikës shqiptare, më në zë të kohës, të rrëmojë dhe të formulojë mendimet dhe përshtypjet e tij për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Ismail Kadarenë, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Edi Ramën, Gramoz Pashkon, Paskal Milon etj. Me ngjyra të gjalla dhe realiste, jashtë kornizave të shkrimeve të zakonshme gazetareske, Lukasi shkruan jo vetëm përmes përvojave të tij gjatë udhëtimeve në Shqipëri, por rrëfen plot ngjyrë e emocion, plot mençuri, si një gazetar sa vëzhgues, aq edhe artist. Në vitin 1986 ai ishte gazetari i parë amerikan që u lejua nga shteti shqiptar i asaj kohe të vizitonte Shqipërinë e bunkerizuar. Në kthimet e tij të vazhdueshme ai ndërtoi plot me mjeshtëri, vërtetësi dhe art, kronikën e ndryshimeve të përjetuara prej Shqipërisë gjatë shkëputjes nga komunizmi dhe përqafimin e rrugës sa të gjatë, po aq edhe të vështirë të demokracisë. Ideja e "Rrumpallës" përshkon të gjithë librin si një fatalitet që e ka shoqëruar këtë vend më së paku që nga fillesat e shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme. Me interes është përshkrimi që u bën autori zhvillimeve politike të pas viteve ‘90, ku në finale janë dy figurat kryesore të politikës shqiptare të sotme. Mesazhi i kësaj vepre është që "kombi shqiptar t‘i japë fund rrumpallës dhe të futet në mbrothësinë e vet". Majkëll Dukakis, ish-kandidat demokrat për Shtëpinë e Bardhë, rival i Xhorxh Bushit në vitin 1988, mik i Peter Lukasit dhe i shqiptarëve, në parathënien e librit, ndër të tjera shkruan: "…Pra, përse Shqipëria? Sepse ajo përbën rëndësi në marrëdhëniet me Kosovën dhe Maqedoninë dhe me komunitetet e tyre shqiptare; si një kryqëzim rrugësh në Ballkan; si një shembull studimi i treguesit të punës së vështirë për ta bërë demokracinë të funksionojë. Shumë amerikanë që nuk e kanë prejardhjen nga Ballkani, ende dinë shumë pak ose asgjë për Shqipërinë, pavarësisht nga roli i saj vendimtar në Kosovë dhe në Maqedoni. Për më tepër, shumë pak diplomatë amerikanë dinë shumë për të. Kjo mund të jetë një nga arsyet përse kemi hasur kaq shumë vështirësi në përpjekjen për t‘u dhënë formë politikave në Ballkan, që përbëjnë kuptim dhe për të kuptuar ndikimin e shqiptarëve jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve të saj".