Topalli mbron akuzat e Berishës: Në Kuvend thuhen të vërtetat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbrojti dje çdo akuzë të kryeministrit Berisha ndaj Edi Ramës. Sipas saj, kjo duhet të ishte bërë më parë
TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk i ka hequr asnjë presje dje akuzave të kryeministrit Sali Berisha drejtuar liderit të opozitës, Edi Rama, dy ditë më parë në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha përfoli të gjitha gratë e jetës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, dhe Topalli edhe pse në çdo takim flet për të drejtat e grave, e ka justifikuar plotësisht qëndrimin jashtë etike të kreut të ekzekutivit, duke kundërshtuar madje edhe veten, teksa u shpreh se fondamentale për të është etika familjare.
Topalli u shpreh se kryeministri Berisha tha të vërtetën dhe se një gjë të tillë ai duhet ta bënte me kohë. "Parlamenti është tempulli i të vërtetave të pafshehura. Unë prej muajsh, ose më saktë janë bërë vite që shkoj fshat më fshat, e qytet më qytet të Shqipërisë, duke i kërkuar zonjave, motrave që të thyejnë murin e heshtjes, që të kenë kurajë të thonë të vërtetat, faktet, ashtu siç i tha mbrëmë Kryeministri. Ashtu siç janë, ashtu siç ndodh me dhunën në familjet e tyre. Nuk mund t'ia kërkojmë vetëm zonjave familjare, grave të thjeshta; përgjegjësia jonë është për t'i thënë të vërtetat ashtu siç janë. Në fakt zërin për të thënë këto fakte të rëndësishme, këto fakte të forta, duhet ta kishim ngritur më përpara", - tha Topalli, duke vijuar se parlamenti është tempulli i të vërtetave lakuriq. "S'ka gjë më të rëndë se të keqtrajtosh në mënyrën më të shëmtuar bashkëshortet me radhë. Çfarë do t'u them unë atyre grave në fshat e qytet? Atyre u them: thyeni murin e heshtjes, ndërsa unë vetë të hesht? Parlamenti është vendi i të vërtetave lakuriq. Absolutisht është fondamentale etika familjare, në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët, dhe aq më tepër për ne, si forcë e të qendrës së djathtë, ne kemi kombin, familjen dhe integrimin. Kjo është thelbësore për ne, është thelbësore. Cila është më etike, të heshtësh dhe të injorosh, apo të thuash të vërtetën ashtu siç është?", - tha dje Topalli, përmes një konference për shtyp.
Kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar, gjithashtu, deputetët e PS-së se mbi ta do të veprojë Kushtetuta, teksa është pyetur për mandatet e tyre. Në fillim të konferencës, Topalli përshëndeti rezolutën e Parlamentit Evropian, ku kërkohet futja e opozitës në Kuvend.
"Dua t'u them deputetëve të opozitës se ne i mirëpresim ata në Parlament, se kemi detyra të shumta për të kryer së bashku. Unë jam e sigurt se ashtu siç e kemi arritur konsensusin për shumë ligje të rëndësishme, siç kemi bërë Kodin Elektoral, siç dëshironin ato, ne do të vazhdojmë të punojmë, siç dëshirojnë ata për të bërë amendamente për Kodin Zgjedhor, për përmirësimet, sipas rekomandimeve të OSBE/ ODHIR-it", - tha ajo.