Berisha nuk voton për të dytën herë buxhetin
Është hera e dytë brenda vitit 2011që kreu i qeverisë Berisha i qëndron larg seancës plenare ku votohet projektbuxheti. Edhe këtë herë, një projekti kaq të rëndësishëm për financat publike të vendit si buxheti i shtetit, i ka munguar vota e kreut të qeverisë. Kryeministri Berisha nuk ka marrë pjesë dje në seancën plenare, ku është votuar nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti i vitit 2012. Edhe seanca e 7 korrikut 2011, ku është votuar buxheti suplementar, i cili i shkurtoi 18.3 mld lekë shpenzime dhe 14 mld lekë të ardhura arkës së shtetit, ka mbajtur larg sallës së parlamentit jo vetëm opozitën që e kish bojkotuar prej kohësh jetën kuvendore, por edhe kreun e qeverisë Berisha si iniciator i kësaj tradite për rishikimin e buxhetit në mesvit. Projektbuxhetit 2012 i kanë shkuar vetëm 71 vota nga maxhoranca dhe 50 votat kundër të opozitës.