Opozita kërkon heqjen e TVSH së librit. Bode: Keni interesa personale
Heqja e TVSH-së së librit në të gjitha hallkat e saj ka qenë një nga propozimet e rëndësishme të opozitës në këmbim të votës për buxhetin e 2012-ës. Sipas Kodhelit, kjo është një kërkesë mbi 15-vjeçare e botuesve, shkrimtarëve, intelektualëve, e sistemit të arsimit, sidomos atij privat etj. “Aktualisht, kjo taksë për librin funksionon e deformuar, sepse hiqet vetëm në gjysmën e hallkave (shtëpi botuese dhe librari, por nuk hiqet në shtypshkronjë), duke e bërë atë formale dhe duke ua ngarkuar në praktikë TVSH-në nxënësve apo lexuesve. Të detyruar nga MSA-ja, qeveria ka hequr të gjitha taksat e librave që hyjnë nga importi (përfshi edhe TVSH-në), duke diskriminuar prodhimin vendas të librave dhe duke dekurajuar zhvillimin e industrisë poligrafike e dëmtuar prodhimin vendas”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, ky propozim do t'i shërbejë zhvillimit të industrisë poligrafike shqiptare, shtimit të vendeve të punës në këtë sektor, por mbi të gjitha uljes së çmimit të librave për lexuesit shqiptarë. Kodheli theksoi se efekti në të ardhurat buxhetore për shkak të heqjes së TVSH-së së librit shkollor dhe artistik që prodhohet në vend, është vetëm 0.17 mld lekë. Ndërsa për ministrin Bode, kjo është një kërkesë për interesat e ngushta të opozitës, duke marrë parasysh se Partia Socialiste ka në radhët e saj një botues, Fatmir Toçin. Sipas ministrit Bode, kjo kërkesë e opozitës është përpjekje për rikthimin e vendit në një ‘republikë bananesh’. Ndërsa vetë socialisti Fatmir Toçi deklaroi dje në Kuvend se intelektualët kanë 3 vjet që kërkojnë heqjen e TVSH-së së librit, por kjo kërkesë nuk është marrë aspak parasysh nga qeveria.