Maxhoranca miraton buxhetin 2012, hedh poshtë kërkesat e opozitës
Maxhoranca ka hedhur poshtë amendamentet e opozitës për taksimin progresiv dhe uljen e TVSH-së për disa produkte dhe shërbime gjatë seancës plenare ku u votua projektbuxheti 2012, nen për nen dhe në tërësi. Në seancë mungoi kryeministri Berisha.
Projektbuxheti i vitit 2012 kaloi dje në seancë plenare me 71 vota pro të mazhorancës dhe u kundërshtua me votë nga 50 deputetë të opozitës. Ndryshe ka miratimi i buxhetit suplementar të korrikut 2011, ku votimi kaloi qetë dhe pa debate, pasi opozita e kishte bojkotuar jetën parlamentare, votimi nen për nen dhe në tërësi i projektbuxhetit të vitit 2012, pati debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, ku propozimet e kësaj të fundit nuk u morën parasysh. Ashtu si edhe në mbledhjet e komisionit Kuvendor të Ekonomisë, opozita propozoi edhe njëherë uljen e TVSH-së për produktet jetike si vaj, sheqer, oriz; 0% TVSH për grurin, miellin, bukën, qumështin dhe vezët dhe 0% TVSH për ilaçet dhe shërbimet mjekësore. Gjithashtu, opozita kërkoi të merrej parasysh edhe heqja e TVSH-së së librit. Për herë të parë opozita sqaroi konkretisht edhe si mund të aplikohet sistemi i tatimit progresiv mbi pagat. Ndërsa ministri Bode i konsideroi kërkesat e opozitës si demagogji politike. Deputetja socialiste Mimi Kodheli, dje në seancë plenare u shpreh se “çmimet ndërkombëtare, sidomos të produkteve bazë, gjatë këtyre pesë viteve të fundit janë dy ose trefishuar. Ndërkohë, qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka vazhduar të tatojë konsumatorin shqiptar në të njëjtën mënyrë. Kjo do të thotë se çdonjëri prej nesh ka paguar me disafish më shumë TVSH në vite, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ta parandaluar këtë rritje në kurriz të konsumatorëve, sidomos atyre me të ardhura të pakta.” Sipas propozimit të opozitës, përgjysmimi i TVSH-së do të sillte një efekt prej 1.8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH, i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të kishte një efekt në të ardhurat buxhetore, për të njëjtin zë në shumën 1.9 mld lekë. Kurse ndërhyrja në çmimin e energjisë në favor të qytetarëve, sipas opozitës propozohet të ulet nga 20% në 6%, e cila do të kishte një efekt në të ardhurat buxhetore jo më shumë se 3.1 mld lekë. Ndërkohë, heqja e TVSH-së për ilaçet do të lehtësonte barrën për qytetarët në masën 1.3 mld lekë. Në përgjigje të Kodhelit, ministri Bode theksoi se edhe një herë opozita ishte pa alternativë për projektin më të madh të financave publike, që është buxheti i shtetit. "Nuk shoh asnjë shenjë reflektimi për politikat e nevojshme që duhet të ndërmarrë qeveria në kushtet e krizës ekonomike financiare globale dhe reflekton mungesën totale të alternativës nga ana e opozitës, etjen e shfrenuar për të bërë demagogji jashtë çdo principi dhe realiteti", - deklaroi Bode. Sipas Bodes, një politikë fiskale duhet të jetë adekuate, e përshtatshme dhe e përputhur për momentin. "Sfida jonë është ekonomia reale, rikthimi i ekonomisë në ritmet e rritjes së saj në nivelin 5-6%, dhe jo ndërmarrja e politikave të përçara, që kanë një sheqerosje në dukje dhe thelbin e kanë po aq të helmët sa në qeverisjet e mëparshme. Modeli juaj ishte hedhja e produkteve shqiptare në përrenj. Modeli jonë është mbështetja e fermerit vendas dhe zëvendësimi në treg gjithnjë e më shumë i mallrave të importit me ato vendase", - theksoi ministri Bode. Për sa i përket tatimit progresiv të pagave, Kodheli gjatë fjalës së saj sqaroi se "ka një prag përjashtues deri në 20 mijë lekë të pagës; ka një prag 7 për qind të shumës mbi 20 mijë deri 40 mijë lekë të pagës; një tatim që shkon 10 për qind të shumës mbi 40 mijë lekë të pagës; një tatim që shkon 15 për qind të shumës mbi 70 mijë lekë të pagës; një tatim që shkon 18 për qind mbi 100 mijë lekë të pagës dhe një tatim që shkon 20 për qind për shumën mbi 150 mijë lekë të pagës”. Sipas saj, përmes skemës së propozuar tatimi do të lehtësojë të gjitha familjet me të ardhura mesatare në vend. "Në qoftë se sot, për një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra paguhen rreth 36 mijë lekë të vjetra taksë, ajo që ne duam të sjellim është që kjo pagë të tatohet jo më shumë se 13-14 mijë lekë të vjetra. Do të thotë, me një llogari të shkurtër, që ne u kthejmë familjeve të zakonshme shqiptare në buxhetin e tyre 300 dollarë në vit. Një qytetar i zakonshëm tatohet 1.3 mln dollarë në ditë më shumë. Propozojmë të kthehemi tek tatimi progresiv, që do të lehtësojë 90 % të punësuarve në shtet dhe privat", - tha deputeti socialist Arben Ahmetaj. Në kundërshtim të tij, ministri Bode theksoi se kjo skemë do të rrisë evazionin fiskal, pasi ata që kanë të ardhura të mëdha do t’i fshehin ato. "Po kërkoni të hapni shtigjet e evazionit sepse pushteti juaj duhet të jetë pushteti që ju la kur ikët, pushteti i korrupsionit, i kontrabandës, pushteti i një republike bananesh", - tha Bode.