Berisha-opozitës: Ju keni frikë nga vota juaj
"Ju keni frikë nga vota juaj prandaj nuk votoni votat me 3/5 ndërsa qeveria mendon për rimëkëmbjen dhe prosperitetin e qytetarëve". Kështu i është drejtuar kryeministri Berisha deputetëve të opozitës në seancën e sotme plenare ku ai është thirrur në interpelanca nga deputeti i PS-së Erjon Braçe.
"Miratimi i ligjeve eshte në interes të qytetarëve. Ne kemi si qëllim zhvillimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë", tha Berisha, duke përmendur rritjen e pagave dhe pensioneve në vitet e fundit, si dhe shkurtimet e shpenzimeve në administratë.
Duke iu përgjigjur akuzave të deputetit socialist se qeveria po privatizon asetet kombëtare, kreu i qeverisë theksoi se ishte kjo qeveri e cila i shndërroi shqiptarët në pronar.
“Ne nuk kemi arritur të përsosurën por me programin dhe përpjekjen tonë kemi bërë qytetarët shqiptarë në pronarë dhe vendosëm në pronësinë e tyre Shqipërinë. Akti më madhor i kësaj mazhorance është ndarja e tokës. Kjo mazhorancë ka vënë arkivin e saj të trashëgimisë dhe asetet e këtij vendi në varësi të qytetarëve” ka theksuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se kjo mazhorancë me reformat e saj solli tek shqiptarët një stabilitet ekonomik duke i dhënë vendit një rritje 2 shifrore.
“Mazhoranca vendosi barrën fiskale më të ulët në Europë duke zbatuar planin “Regan ekonomiks” ku vendosi në epiqendër iniciativën e lirë të shqiptarëve” ka shtuar Berisha.