Berisha, opozitës: Ju nuk përshëndetët firmën e Bush
Tiranë - Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur me vonesë në seancën e sotme parlamentare, por menjëherë ka marrë fjalën duke akuzuar opozitën për neglizhencë ndaj ngjarjeve të rëndësishmë në vend. Sipas tij është e pafalshme që opozita nuk përshëndeti nënshkrimin e Presidentit Bush për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Po kështu ai akuzoi edhe për mungese vlerësimi të vizitës së Frattinit në Tiranë. “Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët pasi shefi i diplomacisë italiane premtoi liberalizim të vizave në vitin 2009”.
Ndërsa shtoi se “unë prisja nga ju të përshëndesnit firmën e presidentit amerikan Xhorxh Bush për protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë”, tha Berisha duke reaguar për fjalët e deputetit të PS Erjon Braçe i cili i kërkoi Berishës të japë shpjegime për çështjen “Fazlliç”. Braçe ka akuzuar Berishën në fjalën e tij të debatit të lirë se po i fshihet opinionit publik për përgjegjësisë e tij dhe faktet e çështjes “Fazlliç”. Por fjala e Braçes ka shërbyer vetëm për ta sjellë Berishën në Parlament. Kryeministri nuk u ndal tek kjo çështje as tek akuzat e Braçes por iu kthye opozitës po me kritika, siç ishte ajo për manipulim të opinionit publik me aksidentin e Kosta Trebickës.