E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha paralajmëron përkeqësim të qëndrimit të BE me ShqipërinëNga Tema Kryeministri, Sali Berisha, bëri të ditur dje se Bashkimi Evropian mund të përkeqësojë qëndrimin e tij ndaj vendit tonë. Ai tha se shkak për këtë mund të jetë qëndrimi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha paralajmëron përkeqësim të qëndrimit të BE me ShqipërinëNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, bëri të ditur dje se Bashkimi Evropian mund të përkeqësojë qëndrimin e tij ndaj vendit tonë. Ai tha se shkak për këtë mund të jetë qëndrimi që po mban opozita ndaj procesit zgjedhor. Duke folur në konferencën e djeshme, Berisha tha se Edi Rama po synon të pengojë liberalizimin e vizave dhe shqyrtimin e kërkesës për aplikim në BE.

“Ajo që dua t’u them sot shqiptarëve është kjo: Edi Rama ka një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt e afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Ai nuk e ka problemin te zgjedhjet. Ai po e përdor këtë për interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u zgjodh me konsensus të plotë, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që u zhvilluan me infrastrukturë bashkëkohore, më moderne të kohërave”, - tha Berisha.

Ai deklaroi se Rama nuk do e pengojë dot procesin e heqjes së vizave. “Unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria ime mbetet tërësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën, për respekt të plotë ndaj saj, por dua të garantoj gjithashtu qytetarët shqiptarë se, aq sa zoti Rama pengoi me bilbila e bori firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2006, po aq do të mund të pengojë procesin e liberalizimit, të heqjes së plotë të vizave dhe lëvizjen tuaj të lirë. Por akti është i shëmtuar. Ju e dëgjoni si luan kukafshehthi me parlamentin dhe institucionet. Unë i them zotit Rama: merr cilindo vendim që ta gjykosh të arsyeshëm. I sigurt të jesh se nuk do të mund të penalizosh shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare. Duke respektuar çdo lloj vendimi që zoti Edi Rama do të marrë, e garantoj se qeveria mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën. Sikundër i sugjeroj të nxjerrë mësimet”, - tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se të burgosurit që u përdorën për fushatë u liruan konform të gjitha rregullave.

“Që kur ka ndodhur rënia në krye të detyrës e katër oficerëve të policisë, ky zotëri harron se Dritan Dajti është në vuajtje dënimi, mendon se me tezën e kriminelit do të mund të damkosë zgjedhjet. Ai ka një deficit të theksuar në logjikë. Dritan Dajti nuk iku, u prangos. Vërtet ranë katër oficerë policie, por ranë në emër të tolerancës zero ndaj krimit. Tani ai flet për të burgosurit. Zotëri, ky është një vend demokratik. Absolutisht të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë e çdo muaj u është dhënë dhe do t’u jepet leje për të shkuar në shtëpinë e tyre. Në parlament ne kemi votuar ligjin e vuajtjes alternative të dënimit. Zotëri, nëse ke raste konkrete, paraqiti. Nuk ekziston asnjë raport dhe asnjë ankesë për asnjë prej tyre, që u liruan përkohësisht me leje, që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Ka raste të dyfishojmë dënimin, të propozojmë ligj për këtë. Por të akuzosh vetëm e vetëm se janë vuajtës dënimi, kjo është totalisht e papranueshme dhe shumë primitive”, - tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se numrat që ka në parlament janë të mjaftueshëm për fitore në vitin 2013, edhe pse ishte i bindur se reforma nuk mund të bëjë dot reforma pa opozitën.

Berisha tha gjithashtu se nuk do të drejtojë seancën e parë të Kuvendit, ashtu siç e parashikon rregullorja, për shkak se ai është deputeti më i vjetër.

Berisha komenton Kongresin e PS, por thotë se nuk ndërhyn asnjëherë në punët e brendshme të partive politike

Kryeministri shqiptar, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, si arsye kryesore për konferencën e djeshme kishte një sulm ndaj mënyrës se si u zhvillua kongresi socialist. Edhe pse qartësisht një ndërhyrje në punët e brendshme të forcës kundërshtare, Berisha lëshoi një lumë akuzash ndaj Edi Ramës.

“Kongresi i një partie të madhe është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për forcën politike së cilës ai i përket, por për të gjithë vendin. Mirëpo ndodhi ajo që ju e dëshmuat vetë. Kryetari i kësaj partie u paraqiti kongresmenëve atë realitet që, në mënyrë absolute, asnjë shqiptar nuk e pranon për të tillë. Zoti Edi Rama, në ligjëratën e tij prej 50 minutash, u foli shqiptarëve - për veten e tij i mori valët e ekraneve tuaja - për një realitet fund e krye të trilluar për interesat më të ngushta personale. Pas Kongresit, ka dy ditë që del në bahçe me të njëjtat teza. Thellësisht i lënduar mbeta nga censura që ai i rezervoi kundërshtarëve të tij. Mirëpo Partia Socialiste, si një parti, e cila në background-in e saj ka Partinë e Punës së Shqipërisë, ishte shkëputur nga censura dhe u kthye sërish. Unë i them zotit Rama se ne, si politikanë, duhet të turpërohemi që në momentin kur ne mund të na shkojë ndërmend censura, jo më ta aplikojmë atë ndaj kundërshtarëve tanë. Kaq është komenti im, sepse ishte e shëmtuar, kur zoti Rama ndiqej nga kamerat edhe në puthje e përqafimet e tij me kongresmenë, ndërsa kundërshtarët e tij vendoseshin në shurdhi e në terr të plotë. Por shpresoj që kjo të mos përsëritet më”, - tha Berisha.

Por më vonë, i pyetur po për një përplasje brenda partisë së çamëve, Berisha tha se është shumë neutral dhe nuk ndërhyn kurrë në problemet e një partie.

“Unë nuk ndërhyj në asnjë problem të asnjë partie politike. Të jeni të sigurt për këtë. Është një parim i hekurt i imi. Unë nuk ndërhyj. Jam jashtë çdo lloj ndërhyrjeje të cilësdo force politike. Jam shumë neutral. Nuk ndërhyj në çështje të brendshme të forcave politike. Është në detyrimin e tyre t’i zgjidhin vetë problemet dhe jo me ndërhyrjen time. Nuk i bëhem krah njeriu në asnjë lloj rrethane, sepse kjo është kultura ime politike”, - tha Berisha.

Pak a shumë të njëjtën përgjigje dha ai edhe i pyetur në lidhje me përplasjet brenda LSI.

Berisha tha se do qeverisë me Metën edhe në vitin 2021. “Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013. Unë mund t’ju garantoj ju edhe për 2021. Ky është një koalicion, i cili ka të gjithë prerogativat, maturinë, ekspertizën, vullnetin e hekurt për t’i dhënë vendit qeverisjen më të mirë, më eficiente, për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit evropian të shqiptarëve. Në çdo parti ka diskutime, por unë nuk ndërhy në diskutimet e asnjë force politike. Kjo është jashtë kulturës sime politike”, - tha Berisha. I pyetur se pse partia e tij nuk po mbledh Kuvendin, Berisha tha: “Partia Demokratike është parti qeverisë dhe nuk mund t’i vendosë problemet e brendshme të saj, para problemeve madhore të vendit dhe të kombit, siç është qeveria. Pasi të finalizojë tërësisht problemin e vendosjes së qeverisjes në të gjitha nivelet të koalicionit, sigurisht ajo do të merret me zgjedhjet e saj, siç e ka parashikuar statuti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›