E Diel, 1 Nëntor 2026

PS drejt kushteve për të hyrë në KuvendNga TemaPartia Socialiste do të ketë raporte të kushtëzuara me parlamentin që do mblidhet pas një jave. Këtë e bëri të ditur kryetari i PS, Edi Rama. Ndër kushtet që do të vendosë Partia Socialiste për parlament

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS drejt kushteve për të hyrë në KuvendNga Tema

Partia Socialiste do të ketë raporte të kushtëzuara me parlamentin që do mblidhet pas një jave. Këtë e bëri të ditur kryetari i PS, Edi Rama. Ndër kushtet që do të vendosë Partia Socialiste për parlamentin e ri do të jetë, ashtu siç ka paralajmëruar, zbardhja e krimit elektoral, hetimi i listës së të burgosurve që janë liruar për të bërë presion gjatë fushatës për qeverinë. Gjithashtu socialistët do të kërkojnë që të mos bëhet presion mbi drejtësinë që ajo të hetojë lirshëm ish-ministrat e akuzuar, të mos censurohen mediet, sidomos ajo shtetërore etj.

Rama i bëri dje komentet i pyetur se cili do të jetë qëndrimi që do mbahet në lidhje me parlamentin.

“Kongresi ka qenë absolutisht i qartë dhe absolutisht i vendosur në konsideratën e legjitimitetit thellësisht të cunguar të çdo produkti institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.

Duke shprehur këtë, kongresi e ka përcaktuar shumë qartë parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike. Me këtë parlament PS duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund. Askush nuk mund ta kthejë PS në një zgjatim të dekorit pseudo-demokratik të këtij parlamenti. Thënë kjo, është fare e qartë edhe autoriteti që Kongresi i ka lënë grupit parlamentar dhe forumeve të PS për të ushtruar sovranitetin e vet.

Nga ana tjetër më lejoni që përtej pyetjes, të ritheksoj se procesi i deformimit dhe procesi i transformim të kësaj republike në një projekt që synon kapjen jo vetëm të shtetit, i cili është përfundimisht i kapur, por edhe kapjen e gjithë sektorëve jetik të vendit për të kontrolluar funksionet e demokracisë, vazhdon sot dhe gjithë ditë.

Siç kanë dalë në dritë ato emra dhe siç ka dalë në dritë ai aspekt kriminal i këtyre zgjedhjeve pas 28 qershorit, çdo ditë vijon persekucioni politik ndaj njerëzve të afishuar si qytetarë opozitar në të gjitha nivelet, duke i larguar masivisht nga puna. Ne kemi emra, kemi mbiemra njerëzish që janë qytetarë të kësaj republike, që gëzojnë njësoj të njëjtat liri të drejta kushtetuese si Sali Berisha, Ilir Meta, njësoj si Fatos Nano. Ne nuk mund të pranojmë që në këtë vend njerëzit të detyrohen të jenë shërbëtorë të nënshtruar të pushtetit për të patur qoftë edhe një vend pune, që në këtë vend sipërmarrësit të detyrohen të rrinë kokulur dhe të mundohen t’i fshihen pushtetit për shkak të suksesit të tyre, që i përndjek përditë, nëse atë sukses nuk e ndajnë me pushtetin në formë shpërblimesh, bakshishesh e sponsorizimesh elektorale. Ashtu sikundër ne nuk mund të pranojmë që media të vendoset e gjitha nën presion dhe trysni dhe që gazetarëve t’iu vihen në gojë fjalët që duhet të thonë, për shkak se pushteti tregoi se qenka në gjendje t’i marrka zgjedhjet me dhunë dhe se nuk u ndalka përpara asgjëje. Këtë ne nuk mund ta pranojmë. Për të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera, ne do të luftojmë dhe do të rezistojmë, sepse kemi detyrimin e madh, patriotik në radhë të parë, t’i japim zë një Shqipërie që lëngon në një krizë ekonomike që shkon duke u thelluar, në një krizë të shtetit të së drejtës që shkon duke u shpërbërë dhe një krize të demokracisë që shkon duke u kufizuar”, - tha dje Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›